Për gazetarin shumë vjeçar, Lavdim Hamidi është e befasishme se si një qeveri e majtë i lufton sindikatat.
Ai thotë se nga ardhja në pushtet e VV-së, ka nisur një luftë e ashpër për kapjen e sindikatave. Madje, sipas tij, VV ka arritur që t’i kap disa sindikata.
“Është e habitshme se si një parti e majtë e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje ka një qasje të tillë me sindikatat dhe punëtorët. Që nga fillimi i mandatit të saj kur ka ardhë në pushtet, fillimisht Qeveria Kurti 1 dhe pastaj Kurti 2, këta kanë filluar një luftë të ashpër me sindikatat duke tentuar që sindikalistët t’i marrin nën kontroll të tyre. Në disa institucione kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë psh me Sindikatën e Shëndetësisë, kanë arritur ta kenë pas vete dhe është Sindikata më e pazhurmshme, më me pak kërkesa drejtuar Qeverisë së Kosovës”, thotë ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic.
Sipas tij, ka pasur një tendencë për kontroll edhe të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, mirëpo shton ai, kanë dështuar keq me disa sindikalistë siç është rasti me Sindikatën e Arsimit, atë të Policisë dhe Minatorët.
“Kjo është problem më i madh se si duke tentuar që t’i bëjë sindikalistët nga vetja po arrin që mos me i përmbush kërkesat e tyre shumë legjitime që i kanë, kryesisht për rritje page apo edhe për disa kompensime shtesë financiare. Është e pakuptimtë se si psh me Projektligjin e ri të buxhetit parashihet të ketë rritje të pagave diku 20 deri në 50 euro dhe një numër i madh i sindikalistëve nuk po e kundërshtojnë për faktin se janë të kontrolluar nga ministra të caktuar të Qeverisë por edhe nga vetë kryeministri Kurti”, thotë Hamidi.
“Sot ishte një protestë e paralajmëruar e policisë, nëse nuk plotësohen kërkesat, nëse kryeministri në takimin që po paraljmërohet nuk i perfill kërkesat e tyre, besoj që do të ketë protesta dhe greva të vazhdueshme dhe është një imazh i keq për Kosovën nëse vazhdimisht nga punëtorët ka kërkesa dhe protesta për përmirësimin e kushteve të tyre”.
Ai vlerëson se kjo është një nevojë shumë urgjente për Kosovën.
“Mos të harrojmë se na ndajnë vetëm më pak se dy muaj nga liberalizimi i vizave për Kosovën dhe parashihet që një numër i madh i punëtorëve, supozohet që rreth 300 mijë veta do të ikin nga Kosova dhe në Kosovë nuk do të kemi punëtor të mjaftueshëm. Jo vetëm ata që nuk punojnë por edhe ata që punojnë dhe nuk kanë paga të ulta 450-500 eruo në muaj do ta synojnë tregun e Evropës, kryesisht tregun gjerman ku kërkesat për punësimin e tyre janë shumë të mëdha, nuk kërkohet asnjë kualifikim as gjyhësor por vetëm a janë të gatshëm me punu fizkisht”, tha ai për emisionin “Expose”.


