Drejtoresha e Komunës së Prishtinës për Kulturë, Siberl Halimi, ka reaguar pas publikimit të Indeksit të Lirisë së Shtypit, ku Kosova ka rënë për 24 vende.
Ajo është shprehur e shqetësuar për rënien e Kosovës në vendin e 99-të.
Sipas saj, ky pozicion pasqyron gjendjen reale në terren.
Në profilin e saj në “Facebook”, ai ka shkruar se gjuha kërcënuese e pushtetit ndaj gazetarëve është normalizuar.
“Liria e mediave është shpirti i demokracisë. Renditja në pozitën e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, është shqetësuese për vendin. Ky pozicionim nuk është vetëm një statistikë – është pasqyrë e gjendjes reale në terren. Nëse nuk ndërmerren masa konkrete për të mbrojtur dhe fuqizuar gazetarët, rrezikojmë të humbim njërën nga vlerat më të çmuara të shoqërisë sonë: të drejtën për të thënë të vërtetën. Gjuha e pushtetit drejtuar gazetarëve dhe çdo zëri kritik, si “bashkëpunëtorë të Serbisë”, tashmë është normalizuar. Kjo qasje po rrezikon përditë jetën e gazetarëve dhe secilit që përpiqet të kontribuojë në mbrojtjen e demokracisë”, ka shkruar Halimi.


