Lajme

Halimi: Dita e vetëdijësimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë

11/25/2022 11:31
nga:N M

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka reaguar për vrasjen e gruas në Prishtinë.

Ajo përmes një postimi në Facebook tha se derisa gratë po diskriminohen e shtypen nuk duhet të qëndrojnë duarkryq.

Halimi tutje thotë se duhet të vetëdijësohemi.

“Dita e vetëdijësimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për atë se edhe sa shumë duhet të bëjmë si shoqëri për të arritur barazinë gjinore; pikërisht sot, në Prishtinë, vritet një grua në familjen e saj.

Në një vend ku gratë dhe vajzat shihen si objekte, në shërbim, të disiplinuara dhe të kontrolluara nga burrat; në një kohë kur rastet e dhunës, dhunimit dhe privimit nga jeta të grave, janë bërë rëndomtësi e përditshmëri, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur gjysma e popullatës shtypet dhe diskriminohet. Të gjithë duhet të vetëdijesohemi për rëndësinë e gjuhës që shprehim, për qëndrimet tona karshi grave dhe vajzave, ngase pa eliminimin e patriarkalizimit të përbrendësuar nuk mund t’i ndryshojmë veprimet!”, shprehet Halimi.