Sporti

Hajdutët futen në shtëpinë e Theo Hernandez, gruaja dhe djali i tij mbeten të tronditur

10/19/2022 13:40
nga:Mergim Rreci

Shtëpia e Theo Hernandez u grabit mbrëmjen e djeshme, ndërsa partnerja e tij Zoe Cristofoli dhe djali i tyre gjashtë muajsh ndodheshin në të.

Raportime të shumta në Itali pretendojnë se hajdutët hynë në shtëpinë e Theos në orën 21:00 me orën lokale mbrëmë, duke vjedhur disa sende me vlerë. Mbrojtësi kuqezi nuk ishte aty, ndryshe nga partnerja e tij dhe djali i tij Theo Junior, përcjell GazetaBlic Sport.

Zoe Cristofoli ka mbetur në tronditje dhe është dëgjuar nga policia në përpjekje për të identifikuar bandën që hyri brenda. Autoritetet do të shikojnë gjithashtu pamjet e kamerave private të sigurisë, me shpresën për të kapur hajdutët.

Theo dhe familja e tij jetojnë në Cassano Magnago, një qytet në provincën e Varese, disa kilometra larg Milanos.

Reprezentuesi francez është vetëm lojtari i fundit i Serie A, viktima e vjedhjes. Dy javë më parë, hajdutët hynë në shtëpinë e yllit të Juventusit, Angel Di Maria në Torino, ndërsa Mady Camara i Romës iu vodh makina në kryeqytet javën e kaluar.

/GazetaBlic Sport/