Florent Hadërgjonaj beson se Kosova mund të arrijë fitoren në Zvicër, ku do të ndihet si në shtëpinë e saj, pasi shumica e tifozëve në stadiumin e Bazelit do të jenë shqiptarë.
Hadërgjonaj, i cili është lindur dhe rritur në Zvicër, pranoi se kjo përballje do të jetë speciale dhe se nuk do ta harrojë kurrë.
“Për mua është ndeshje speciale, pasi jam lindur dhe rritur këtu. Nuk do ta harroj gjatë tërë jetës sime, pasi do të kem shumë familjarë në tribuna. Nuk do të jetë një situatë e tillë vetëm për mua, por edhe për shumë bashkëlojtarë. Me padurim presim ndeshjen, pasi në stadium do të kemi përkrahje të madhe dhe shpresoj që me një paraqitje të mirë do ta gëzojmë popullin kosovar dhe të gjithë ata në stadium me një fitore”.
Hadërgjonaj, sikurse Xherdan Shaqiri, tha se ka pasur kërkesa të shumta nga të afërmit për t’ua siguruar një biletë për këtë ndeshje. Pranoi se nuk ishte lehtë për të, por në fund ka arritur t’ua sigurojë ato. Hadërgjonaj tha se nëse stadiumi do të kishte mbi 100 mijë ulëse, do të stërmbushej për këtë takim.


