Sigal Prishtina dhe Trepça do të përballen të dielën në ndeshjen e 5-të gjysmëfinale.
Fituesi i këtij takimi do të kualifikohet në finalen e madhe të Superligës së Kosovës në basketboll. Deri më tash, dy ndeshje i kanë fituar kryeqytetasit, kurse dy fitore kanë siguruar ‘Minatorët’ nga Mitrovica.
Ish basketbollisti i njohur kosovar dhe tashmë drejtori në Drejtorinë për Sport në komunën e Prishtinës, Granit Rugova tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se pret një spektakël basketbolli, duke besuar se skuadra nga kryeqyteti do të fitojë dhe do të vazhdojë tutje në finalen e madhe.
“Pritet një super derbi mes dy skuadrave, një spektakël basketbolli. Një ndeshje e vështirë, por besoj se Prishtina do të fitojë dhe do të vazhdojë në finale”, tha fillimisht Rugova.
Duhet theksuar se Rugova vlerësohet si një prej basketbollistëve më të mirë që nga paslufta në Kosovë, derisa ka fituar trofe të shumtë me ekipin e Sigal Prishtinës, kurse për një kohë ka mbrojtur edhe ngjyrat e klubit të Bashkimit.
Duke qenë pjesë e basketbollit kosovar për shumë vite, ai ka komentuar edhe nivelin që ka ky sport momentalisht në Kosovë, ku tha se problemi i vetëm qëndron tek fakti që nuk ka basketbollistë të rinj kosovar që mund të marrin barrën e skuadrave repsketive.
“Basketbolli përsëri ka marrë hov të madh dhe çdo skuadër është konkurruese. Problemi i vetëm është se nuk ka të rinj vendor që po angazhohen dhe marrin barrën e ekipit. Poashtu i bëj thirrje gjithë Prishtinës që ta mbështesë ekipin e zemrës”, përfundoi Rugova.

Takimi mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës do të zhvillohet me fillim nga ora 17:15.
/GazetaBlic Sport/


