Sporti

Granit Begolli: Shqipëria ka gjasa reale që të fitojë pikë ndaj Kroacisë dhe Italisë

06/09/2024 21:07
nga:Mergim Rreci

Shqipëria brenda pak ditësh nis aventurën e saj në Euro 2024.

Kuqezinjtë do të marrin pjesë për herë të dytë në një kompeticion të madh siç është Kampionati Evropian.

‘GazetaBlic’ ka realizuar dokumentarin ‘Expose’ në lidhje me këtë temë, atje ku trajneri i mirënjohur kosovar, Granit Begolli tha se është një grup shumë i vështirë, por që kompeticionet e tilla kanë ditur të nxjerrin befasi.

Sipas tij, Shqipëria e ka përmbushur misionin e saj me kualifkimin në ‘Euro 2024’ dhe se nuk e ka presionin që e kanë kundërshtarët.

“Është e vërtetë që është një grup shumë i vështirë. Ne duhet ta kemi të qartë që pritshmëritë nuk duhet të jenë të mëdha. Megjithatë, kampionatet e kaluara kanë ditur të nxjerrin befasi, sidomos tek këto grupet kur një skuadër është paraqitur si ‘Ousidere’. Mendoj që Shqipëria e ka përmbushur misionin me kualifikimin në Evropian. Tashmë është pa presion për dallim nga kombëtaret e tjera në grup, pra nuk duhet me çdo kusht të kalojë grupin edhe kjo do të jetë një armë shtesë për neve. Kemi një kualitet për t’u përballur me kundërshtarët në fjalë, pavarësisht emrave të tyre të mëdhenj“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai tha se ka gjasa rale që kuqezinjtë të marrin pikë ndaj Kroacisë dhe Italisë, por e sheh shumë të vështirë që të ndalet Spanja.

“Realisht mendoj që kemi shumë pak gjasa që ta ndalim Spanjën, sepse mënyra se si luajnë futboll  nuk na përshtatet. Por, kemi gjasa reale që të marrim pikë me Kroacinë, pse jo edhe me Italinë, sepse Italia nuk është ajo kombëtarja favorite që jemi mësuar ta shohim më parë. Nëse luajmë ashtu siç kemi luajtur në kualifikuese dhe nëse kemi pak më shumë respekt për veten tonë se sa për kundërshtarin, gjasat janë reale që të bëjmë befasi me Italinë dhe Kroacinë, kombëtare që është në tranzicion dhe ndryshim të gjeneratës”, përfundoi Begolli.

/GazetaBlic/