Një bazë e dyshuar armatimi e cila shërbente për furnizimin e grupeve kriminale në Shqipëri, është goditur në kuadër të operacionit policor të koduar “Picalla”.
Gjatë operacionit thuhet se janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshirë pesë armë zjarri automatike, një pushkë, tri pistoleta, një armë gjahu, si dhe një silenciator, bajonetë, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Po ashtu janë gjetur rreth 900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit sot, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e O.Q., 41 vjeç, banues në Tiranë, u identifikua baza e dyshuar e armatimit. Ai është shpallur në kërkim nga policia.
Në vijim të veprimeve, njoftohet se është arrestuar në flagrancë e dyshuara M. H., 66 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila është nëna e personit të shpallur në kërkim.
“Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë, me qëllim verifikimin e përdorimit të tyre në ngjarje kriminale.Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Materialet procedurale tashmë njoftohet se i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


