Lajme

‘Godet’ deputeti i PDK-së: Vulën për qeverisjen e vendit e pati Thaçi, Kurti dështim total

05/24/2023 14:27
nga:Genita C

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë se nuk duhet të ketë zgjedhje të reja dhe se Qeveria Kurti sipas tij duhet ta kryej mandatin deri në fund, sepse siç thotë ai qytetarët do ta shohin edhe më tutje mashtrimin që po bën.

Berisha për GazetaBlic thotë se është e domosdoshme që Qeveria Kurti të ndalojë dëmin që po i bën Kosovës në të gjithë sektorët.

“Zgjedhjet si rregull nuk do të duhej të ndodhnin. Kjo Qeveri duhet të lihet deri në fund të mandatit që qytetarët dhe të gjithë ata që janë të interesuar ta lexojnë mashtrimin në të gjitha temat. Kjo Qeveri do të duhej të ndalej, për shkak të dëmit të madh, falimentimit ekonomik të shtetit, varfërimit social të qytetarëve e shkatërrimit total të infrastrukturës. Zgjedhjet duhet të ndodhin me qëllimin e ndalimit të dëmit që kjo Qeveri po i bën shtetit”, thotë ai.

Berisha thotë se gjithçka që është bërë në këtë vend e ka vulën e Partisë Demokratike dhe sipas tij, qysh në momentin kur Thaçi nuk po qeverisë nuk është bërë asnjë lëvizje përpara.

“Gjithçka që është në këtë vend e ka vulën e Partisë Demokratike. Nëse diçka është bërë në Kosovë, është bërë në atë kohë kur kemi qeverisur ne, nëse është ndalë gjithçka në këtë vend, u ndal sepse përfaqësuesi i PDK-së nuk ka qeverisur në këtë vend. Qysh në momentin kur nuk po qeverisë PDK-ja, nuk është bërë asnjë lëvizje në Kosovë”, thotë Berisha për GazetaBlic.