Vedat Muriqi po zhvillon një sezon fantastik tek Mallorca në La Liga.
Sulmuesi kosovar është në mesin e golashënuesve më të mirë në nivelin elitar të futbollit spanjoll, duke bërë që tifozët e Mallorcas të lidhen fortë me të, shkruan GazetaBlic Sport.
Si në rrjetet sociale, si në stadium ashtu edhe në rrugët e qytetit, emri i Vedat Muriqit është prezent, me një numër të madh të tifozëve që kërkojnë që Muriqi ta përfundojë karrierën e tij në ‘Palma’.
Madje, tifozët e këtij qyteti dhe jo vetëm, kanë filluar ta njohin dhe të interesohen edhe për vendin tonë, Kosovën.
Pedro Vera, një tifoz i kësaj skuadre, ka udhëtuar në Kosovë për të parë qytetin nga vjen Vedat Muriqi, Prizrenin. Ai ishte tek restoranti i familjes së sulmuesit kosovar, ku tha se ka ngrënë edhe ushqimin favorit që ka Muriqi, qebapat.
“Më pëlqeu shumë vizita ime në Kosovë, ishte një përvojë shumë e bukur dhe do të doja të kisha mundur të vizitoja pjesë të tjera të vendit, por kisha kohë vetëm të vizitoja Prizrenin dhe Prishtinën. Mendoj se Prizreni është shumë i bukur dhe interesant. Kam kaluar shumë orë duke ecur buzë lumit dhe kam vizituar edhe restorantin e familjes së Muriqit dhe aty kam ngrënë qebapat. Ishte shumë bukur të zbuloja vendin ku është rritur ai. Kam lexuar disa intervista dhe e di që nuk ka qenë e lehtë të jetë këtu si një futbollist profesionist, por ai tani po bën një punë të shkëlqyer në Real Mallorca, ai po performon në një nivel të lartë dhe është një nga golashënuesit më të mirë të La Ligës. Mendoj se ai po lobon edhe për Kosovën dhe situatën me Spanjën dhe vendet e tjera. Ai është një person modest dhe është shumë i dashur në Mallorca, mendoj se e meriton këtë sukses”, tha fillimisht Pedro Vera për ‘GazetaBlic Sport’.
From Mallorca to Kosovo ?? following the footsteps of ?☠️ @MuriqiVedat in #bahtijarigrill Prizren. @RCD_Mallorca flag by @Birmingham1999 pic.twitter.com/eEv5209bEZ
— Pedro Vera (@Verassa) April 12, 2023
Më pas, ai tha se kontrolloi mirë për vendlindjen e Muriqit para se të planifikonte udhëtimin e tij, ai poashtu pati simpati për qytetin dhe tha se mbeti shumë i lumtur me atë se çfarë mori nga kjo vizitë e mrekullueshme.
“Nuk ishte arsyeja e vetme por ishte padyshim shumë e rëndësishme. Fillova të planifikoja udhëtimin tim pasi kontrollova vendlindjen e Muriqit. Kam lexuar se ka lindur në Prizren dhe kam filluar të kërkoj informacione për këtë vend. Mësova se ishte një kryeqytet historik dhe kuptova se ia vlente ta vizitoja. Vendosa të organizoj itinerarin tim rreth këtij qyteti. Në total kam kaluar 7 ditë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe kam vizituar qytete të tjera. Bleva një flamur Muriqit dhe shkova në restorant për të ngrënë dhe për të bërë disa foto. Ishte momenti më i rëndësishëm i udhëtimit tim“, përfundoi Vera me komentin e tij.
Muriqi!!! ?⚫ #Prizren #Kosovo pic.twitter.com/TSW63Znynb
— Pedro Vera (@Verassa) April 12, 2023
Kujtojmë se sulmuesi kosovar ka deklaruar prej kohësh se është i pakënaqur me vendimin që Spanja nuk e njeh pavarësinë e vendit tonë dhe kjo gjë ka bërë bujë edhe tek mediat më të mëdha atje.
Jo vetëm kaq, Muriqi ka njoftuar popullin spanjoll edhe me historinë e tij personale dhe popullit të Kosovës aspak të lehtë në luftën e fundit, duke shpjeguar se u detyrua të ikte nga vendit si rezultat i sulmeve dhe agresionit serb.
/GazetaBlic Sport/


