Sporti

Gliha nuk pranon t’i rikthehet rastit Zhegrova-Rrahmani, thotë se te Kosova nuk luan emri, por lojtari më i mirë

11/20/2023 17:31
nga:E K

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Primoz Gliha ka folur në konferencë për media, para ndeshjes me Bjellorusinë.

Kosova dhe Bjellorusia do të përballen të martën nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Gliha u pyet në konferencë për rastin e Zhegrovës dhe Rrahmanit. Ai tha se tek ai luan lojtari që është më i mirë dhe jo “emri”.

“Koncentrimi im është tek Bjellorusia. Nuk mund të them asgjë për atë. Nuk do të ndryshoja diçka. Duhet të zbatojmë rregullat. Për mua luan ai që është më i miri. Nuk kanë rëndësi emrat” – tha Gliha në konferencë.

Pas tij, mori fjalën edhe mbrojtësi Fidan Aliti që tha se ata për momentin synojnë të fitojnë ndaj Bjellorusisë.

“Për mua është ende herët të bëjmë analiza çka duhet të ndryshojmë. Nesër na pret ndeshje kualifikuese. Është e rëndësishme edhe pse s’mund të kualifikomi. Synimi ynë është të mos na kalojë Bjellorusia në tabelë. Kur të kryhen kualifikimet duhet të ulemi dhe të diskutojmë” – deklaroi Aliti.

Ndeshja ndaj Bjellorusisë, është e fundit për Kosovën në kampanjën kualifikuese për Evropianin 2024.

Kosova nuk ka asnjë gjasë për t’u kualifikuar në Euro 2024.