Lajme

Gjykimi për korrupsion ndaj ish-ministrit Rikalo dhe të tjerëve, njëri i akuzuar thotë se dha kontribut profesional në grup punues

05/26/2022 15:37
nga:G B

Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Ekrem Gjoka, i cili teksa foli për pjesëmarrjen në grup punues, tha se kontributi i tij në këtë grup ishte vetëm profesional.

Këtë deklarim, i akuzuari Gjoka e bëri në gjykimin ku ai bashkë me ish-ministrin e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie Kapllan Halimi, dhe pesë të akuzuar tjerë, Shefki Zeqiri, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri akuzohen për korrupsion.

I akuzuari Gjoka, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se ai beson që ka pasur të drejtë të themelojë grupin punues, pasi që kërkesa për themelimin e këtij grupi fillimisht kishte shkuar tek drejtoria e administratës së përgjithshme të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa zyrtarja ligjore e kishte përpiluar këtë vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjoka tha se në momentin kur kishte pranuar vendimin për nënshkrim, kishte ftuar drejtorin për miratim të projekteve, Nehat Veliun, duke e pyetur të njëjtin se pse i kishte ardhur vendimi me emra të përzgjedhur dhe pse ishin pikërisht 4 persona.

Ai ka sqaruar se drejtori Veliu i kishte thënë se këta persona sapo kishin përfunduar vlerësimin e masës 103 të programit të rregullt dhe se projektet ishin me vlera të mëdha, andaj sipas tij nuk guxonin të bënin gabime.

Sipas tij, këta zyrtarë kishin raportuar te drejtori Nehat Veliu dhe nëse nxjerrja e vendimit do të kishte qenë punë e drejtorit ai do ta bënte këtë pa asnjë problem dhe nuk do ta kërkonte këtë nga ana e tij.

“Kjo praktikë ka qenë edhe më herët, ju kemi sjellë me prova edhe disa nga vendimet që janë vepruar nga kryeshefat e mëhershëm”, tha Gjoka.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetje e mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj, i akuzuari Gjoka ka thënë se që nga momenti kur ishte themeluar grupi punues dhe deri në përfundim kishte qenë në pozitën e drejtorit të analizave ekonomike dhe statistikave bujqësore.

Ai tha se ka ekzistuar një praktikë në Ministrinë e Bujqësisë që të ketë edhe anëtarë nga Agjencia për përgatitjen e programeve kurdo që është parë e nevojshme nga themeluesit e grupeve punuese.

I pyetur nga prokurorja speciale Habibe Salihu, se për periudhën kohore sa kishte qenë kryeshef a kishte qenë kjo hera e parë që kishte themeluar grup punues apo këtë e kishte bërë edhe më herët, i akuzuari Gjoka tha se kjo kishte qenë praktik edhe e mëhershme dhe se kishte pasur edhe vendime të tjera që kishte nënshkruar.

Tutje, i akuzuari Gjoka ka sqaruar se ai kishte qenë anëtar i grupit punues ashtu si të gjithë anëtarët e tjerë dhe roli i secilit prej tyre kishte qenë të japin kontribut profesional dhe se nuk kishte pasur asnjë rol më të theksuar nga anëtarët e tjerë.

Ai tha se për shkak të mungesës së hapësirës në Ministri të Bujqësisë, një numër i takimeve janë mbajtur në zyrën e tij pasi që sipas tij në atë kohë kishte qenë në zyrë me një ekspert italian dhe kishin pasur një hapësirë më të madhe.

I pyetur nga prokurorja speciale se a ishte shfrytëzuar kompjuteri i tij dhe a ishin dërguar nga e-maili i tij ftesat dhe organizimi, ai tha të gjitha e-mailet kishin shkuar në emër të kryesueses por nga e-maili i tij, ngase në kompjuter sipas tij nuk ka mundur të ketë e-mail tjetër.

“Për të gjitha e-mailat që janë shkruar në emër të kryesues që janë dërguar unë mbaj përgjegjësi që kanë shkuar përmes e-malit tim sepse secilin e-mail që i është dërguar grupit punues i janë referuar që po shkon në emër të kryesueses së grupit nga e-maili im”, tha i akuzuari Gjoka.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjen se cili kishte qenë kontributi i tij në grup punues ai tha se ai ka dhënë vetëm kontribut profesional dhe se dokumenti ishte vendosur në projekt duke u lexuar secilin rresht dhe duke pasur mundësi që secili anëtar që ka pasur ndonjë vërejtje të ndërhyjë.

“Konkretisht tani nuk më kujtohet cili ka qenë kontributi im, por theksoj se drafti është ndryshu, është plotësu dhe është lexu rresht për rresht dhe të gjithë anëtarët e grupit punues e kanë pasur lirinë që atë draft ta shpërndajnë me të gjithë stafin e departamentit që kanë përfaqësuar”, shtoi ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nenad Rikalo, avokati Miodrag Brkljaq e pyeti se si ekspert a kishte qenë pjesëtar për hartimin e strategjisë për reforma kombëtare në ekonomi, e cila ishte sjellë nga Qeveria e Kosovës.

I akuzuari Gjoka e pohoi, duke sqaruar se me vendim të Qeverisë së asaj kohe përkatësisht kryeministrit Isa Mustafa, kishte nxjerrë vendim për përgatitjen e dokumentit të reformës ekonomike duke e caktuar koordinator sektorial për fusha të caktuara, pasi që sipas tij prioritet i secilës qeveri ka qenë BE-ja dhe një prej kritereve ka qenë edhe reforma ekonomike.

Ai tha se me vendim të kryeministrit ishte caktuar koordinator sektorial për sektorin e bujqësisë, ku kishte koordinuar punën e këtij grupi punues duke udhëhequr së bashku me 3 ministri tjera.

“Pra unë kam qenë koordinator për 3 ministri dhe për këtë ju dorëzoj edhe vendimin e ministrit së bashku me listën e koordinatorëve tjerë sektorial”, tha Gjoka.

Tutje, ai ka sqaruar se një prej sektorëve ka qenë edhe bujqësia, por që nuk ka qenë vetëm bujqësia ngase ka qenë reformë ekonomike për të gjitha institucionet në nivel nacional, ashtu që ky program kishte qenë në nivelin kombëtar për të cilin ishte raportuar në baza vjetore në Komisionin Evropian.

Ai tha se secili ministër dhe secila ministri ka qenë e obliguar të raportojë masat që kishte ndërmarrë përkatësisht progresin për këto reforma ekonomike.

I pyetur nga avokati Brkljaq se a kishte marrë pjesë në seminarin që ishte mbajtur në fillim të vitit 2018 në Pejë dhe çka kishte qenë tema kryesore aty, i akuzuari Gjoka pohoi se aty kishte qenë pjesëmarrës, duke thënë se në atë takim kishin qenë të ftuar të gjithë drejtorët e ministrisë dhe i gjithë stafi i AZHB-së, ku ishte diskutuar programi i rregullt i vitit 2018 dhe të gjeturat dhe vështirësitë në implementim të vitit paraprak.

Seancat e radhës lidhur me këtë rast janë caktuar më 1 dhe 18 korrik 2022.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkëlzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.

Kështu thuhet se i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’iu mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme ngase vet ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm, duke vepruar në këtë mënyrë buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 euro.

Sipas akuzës, të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’u mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”.