Lajme

Gjykata ua vazhdon masën e paraburgimit 5 të dyshuarve për kontrabandim me migrantë, 3 të tjerëve u cakton masën e arrestit shtëpiak

12/20/2022 15:13
nga:G B

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda më 19 dhjetor 2022 ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve ndërsa ka vazhduar këtë masë ndaj pesë të tjerëve, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë.

Kështu, kjo gjykatë i ka ndërprerë masën e paraburgimit menjëherë dhe e ka zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak ndaj N.B, E.B dhe Q.S kurse, ka vazhduar masën e paraburgimit  deri më 20 janar të 2023-tës M.S, A.H, L.H, M.A dhe B.U.

Në vendimin e siguruar nga ‘‘Betimi për Drejtësi’’, thuhet se gjykata ka analizuar të gjitha pretendimet e prokurorisë dhe të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës ashtu që ka konsideruar se qëndrojnë rrethanat dhe arsyet për caktim të masës së arrestit shtëpiak dhe vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve.

Në arsyetim të vendimit thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se me qellim të përfitimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dobisë financiare ose të dobisë tjetër pasurore nga hyrja e paligjshme e personave që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, merren me kontrabandim me migrantë në atë mënyrë që nga muaji mars i vitit 2022 e deri më 20 tetor 2022, të pandehurit M.S, A.H, L.H e M.A, të ashtuquajtur ‘RIBERI’, në bashkëveprim me të pandehurin M.A., fillimisht rreth 200 migrantë – shtetas sirianë në periudha të ndryshme kohore nga territori i Republikës së Shqipërisë i kanë futur në mënyrë ilegale në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit, në afërsi të fshatit Vërmicë i kanë pritur të pandehurit N.B, E.B dhe Q.S, të cilët me veturat e tyre i kanë transportuar migrantët në Motelin ‘Delux’ në fshatin Shkabaj-Komuna e Prishtinës, pronë e të pandehurit G.K.

Po ashtu, thuhet se të njëjtit pasi kanë biseduar me të pandehurit e ashtuquajtur ‘RIBERI’, migrantët i kanë transportuar në fshatin Jarinjë tek marketi/kafeiteri pa emër, pronë e të pandehurës B.U, e cila thuhet se i ka strehuar migrantët dhe në bashkëveprim me të pandehurit e ashtuquajtur ‘RIBERI’ nëpërmes rrugës hekurudhore në mënyrë ilegale migrantët i fusin në territorin e Republikës së Serbisë, me ç’rast përfitojnë kundërligjshëm shuma të konsiderueshme të parave.

Andaj thuhet se me këto veprime inkriminuese, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale të kontrabandimit me migrantë në bashkëkryerje nga neni 164 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, i pandehuri E.B dyshohet se ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së, ashtu që në shtëpinë e tij nga data e pavërtetuar deri më 20 tetor 2022 ka pasur të fshehur revolen pa leje nga organi kompetent.

Tutje, në arsyetim të vendimit thuhet se dyshimi është i bazuar edhe në shkresat e lëndës, si raporti plotësues i kallëzimit penal nga Policia e Kosovës, deklaratat e të pandehurve të dhëna në Polici, deklaratat e të dëmtuarve – migrantëve të dhëna në Polici, raporti njoftues mbi zbatimin e masave të fshehta së bashku me transkriptimin e bisedave të datave të ndryshime, raportet e vëzhgimit, vërtetimit mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, procesverbaleve për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm dhe provave tjera materiale të mbledhura gjatë hetimit policor e në bazën e të cilave është filluar dhe zgjeruar hetimi formal.

Kështu pretendohet se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të fshihen, të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe se duke marr parasysh faktin se për veprën penale për të cilën dyshohen, është paraparë dënim mjaftë i lartë, këto rrethana sipas gjykatës paraqesin shkaqet ligjore për caktimin e arrestit shtëpiak kurse thuhet se pasi që të pandehurit tjerë janë shtetas të huaj, ekziston dyshimi se mund të jenë të paarritshëm për organet andaj paraqiten arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit.

Po ashtu, thuhet se bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, peshën e veprës penale, karakteristikat personale të pandehurve si dhe sjelljet e mëparshme, ashtu që nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mund të përsërisin veprën e njëjtë apo të ngjashme penale, pasi që ekziston dyshimi se në vazhdimësi duke vepruar si anëtarë të grupit janë marrë me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare.

Andaj, gjykata ka konsideruar se duke pasur parasysh qëllimin për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale dhe zhvillimin e papenguar të fazës së hetimeve dhe në parandalimin e përsëritjes së veprës penale, masat e tjera janë të pamjaftueshme.