Lajme

Gjykata në Prishtinë paralajmëron procedurë penale ndaj një dëshmitari, pretendon se ka dhënë deklaratë të rrejshme

11/02/2021 15:57
nga:M K

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Ilirjana Ҫollaku ka paralajmëruar procedurë penale ndaj dëshmitarit të mbrojtjes M.Ҫ, me pretendimin se i njëjti gjatë kësaj seance ka dhënë deklarim të rrejshëm.

Këtë paralajmërim, prokurorja Ҫollaku e ka bërë pas marrjes në pyetje të dëshmitarit nga mbrojtësja e të akuzuarit Denis Ҫeman, avokatja Fetije Uka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Ҫollaku, ka thënë se nuk ka pyetje për dëshmitarin, por që sipas saj i njëjti gjatë këtij deklarimi ka gënjyer.

Në rast, D.Ç po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 32, paragrafi 2 lidhur me nënparagrafin 2.6, e dënueshme sipas paragrafit 2.8 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarit D.Ç, avokates Uka, dëshmitari M.Ҫ ka deklaruar se të akuzuarin e ka vëlla dhe nuk ka raporte shumë të përafërta me të.

I pyetur se a është në dijeni për shumën e parave, për të cilat po akuzohet D.Ҫ, dëshmitari ka thënë se është në dijeni për ato para.

Tutje, ai ka thënë se një herë kur kishte shkuar në banesën e tani të akuzuarit, i kishte parë disa para në një kuti, të cilat sipas tij i kishte lënë e dashura e të akuzuarit, A.H.

“Pasi shkuam në banesë e kemi parë që ka qenë një kuti si e këpucëve edhe u kanë mbi një orman dhe në atë kuti ka qenë një zarf i bardhë dhe pasi D. e hapi dhe në atë zarf ka pasur para”, ka deklaruar dëshmitari.

Tutje, ai ka thënë se këto para kishin qenë të gjitha në valuta 500 euro dhe madhësia e këtij zarfi sipas tij kishte qenë 2 centimetra.

Pas marrjes në pyetje të dëshmitarit nga avokatja Uka, prokurorja Ҫollaku ka deklaruar se nuk ka pyetje për dëshmitarin dhe ka shtuar se do të hapë procedurë penale ndaj tij për dëshmi të rrejshme.

“Pas dëgjimit të kësaj dëshmie unë e njoftoj gjykatën se ndaj personit të paraqitur si dëshmitar i rastit i cili sapo u dëgjua, në vijim të këtij shqyrtimit gjyqësor do të arsyetojë arsyeshmërinë e inicimit të procedurës penale për veprën penale deklarim i rremë, sanksionuar me Kodin Penal”, ka thënë prokurorja Ҫollaku.

Ajo ka thënë se arsyeshmërinë e inicimit të procedurës në detaje do ta përshkruajë në autorizimin që do t’ia dorëzojë policisë, njësisë përkatëse për hetimin e një vepre të tillë, ndërsa ka shtuar se një deklarim i tillë duket haptas se i njëjti është duke kryer veprën penale deklarim i rremë.

Pas kësaj, anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Medije Bytyqi iu është drejtuar prokurores Ҫollaku, duke e thënë se e kërcënuan dëshmitarin para se të përfundohet marrja në pyetje dhe se ky paralajmërim ishte dashur të bëhet pas përfundimit të marrjes në pyetje.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Uka e ka kundërshtuar deklarimin e prokurores Ҫollaku lidhur me inicim e procedurës penale ndaj dëshmitarit të mbrojtjes M.Ҫ.

Tutje, ajo ka thënë se kërkon falje në emër të prokurores për sjelljen para trupit gjykues.

“Kërkoj falje në emër të prokurores për sjellje para një trupi gjykues dhe gjithashtu më çudit fakti se arsyeja e propozimit me nenet përkatëse në të cilat u thirr prokurorja nuk mund ta kenë bazën juridike në aspektin se asnjëherë nuk ka qenë në gjendje ta ballafaqojë me ndonjë deklaratë të dhënë më herët, për faktin se dëshmitari është duke u marr në pyetje për herë të parë dhe dyshimi se deklarimi i tij ka qenë i rremë”, ka shtuar avokatja Uka.

Tutje në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Kuqi, dëshmitari ka thënë se ato para nuk kanë qenë të të akuzuarit D.Ҫ dhe sipas tij i njëjti i ka kthyer ato para.

Gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit I.B i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Uka ka deklaruar se të akuzuarin e njeh prej vitit 2005-2006, pra sipas tij prej fillimit të vitit të parë akademik të studimeve.

Ai ka thënë se, i akuzuari pas studimeve ka punuar njëherë si kamerier, e pastaj si sigurim në diskoteka.

Dëshmitari B. tutje ka deklaruar se të akuzuarit D.Ҫ, e dashura e tij A.H, i ka blerë një veturë të tipit “Peugeot 306”, në vlerë rreth 6 deri 8 mijë euro dhe sende tjera të vlefshme.

Tutje, ai ka thënë se e dashura e të akuzuarit e kishte pasur një kompani të organizimit të mbrëmjeve dhe i akuzuari ka punuar tek ajo si sigurim.

Po ashtu, dëshmitari tha se nuk është në dijeni për ndonjë shumë të parave që ka pasur tani i akuzuari gjatë vitit 2011.

Në fund të deklarimit, dëshmitari ka thënë se tani i akuzuari është i këtyre punëve dhe se i ka ardhur çudi kur e ka kuptuar se i njëjti po akuzohet për shpëlarje të parave.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues i tërheq vërejtjen prokurores për përdorimin e laptopit, derisa dëgjohet dëshmitari, kjo pasi që prokurorja ka thënë se ‘po mban proces dhe po i ndihmon zyrtares ligjore’.

Gjatë kësaj seance është dëgjuar edhe dëshmitari S.S, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Uka ka deklaruara se një ditë sa kishte qenë duke pirë kafe, vetura e tij e tipit “Peugeot 306” ishte djegur.

Tutje, ai tha se pasi kishte shkuar në polici e kishte kuptuar se kishin qenë disa para në veturën e tij të djegur.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokates Uka, dëshmitari ka deklaruar se veturën e tij të tipit “Peugeot 306” ia kishte dhënë disa herë tani të akuzuarit.

Kurse, i pyetur se a ka qenë në shtëpinë e të akuzuarit si dhe a kishte parë para në atë shtëpi, dëshmitari tha se kishte qenë disa herë në shtëpinë e të njëjtit, por që nuk kishte parë para aty.

Pas kësaj, prokurorja Çollaku ka propozuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen M.H dhe S.H, i cili propozim është kundërshtuar nga avokatja Uka.

Ndërsa, lidhur me këtë propozim, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Jashanica-Kransiqi ka thënë se do të vendos me vendim të veçantë.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 20 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 tetor 2013 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), D.Ç po akuzohet se më 28 shkurt 2011, edhe pse e ka ditur se shuma e të hollave prej 115 mijë euro rrjedh nga aktiviteti kriminal, me qëllim të fshehjes së tyre, i ka deponuar në xhirollogarinë e tij.

Në aktin akuzues thuhet se kur punëtorja e bankës ka kërkuar nga ai që ta plotësojë formularin për prejardhjen e të hollave, i njëjti ka refuzuar duke u larguar nga banka.

Tutje sipas aktakuzës, punëtorja e bankës e ka ftuar përmes telefonit që të bëjë nënshkrimin e deponimit të të hollave, për çka i pandehuri ka shkuar në bankë, e ka nënshkruar fletëdeponimin, e ka bërë tërheqjen e të hollave dhe është larguar nga banka.

Me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 32, paragrafi 2 lidhur me nënparagrafin 2.6, e dënueshme sipas paragrafit 2.8 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi