Anëtari i PDK-së, Betim Gjoshi, i ka quajtur “luftë” veprimet e kryeministrit Kurti kundër sindikatave.
Ai ka thënë se kjo përbën një pasqyrë e dobësisë dhe rënies së vazhdueshme të tij.
Sipas Gjoshit, asnjë politikan nuk e ka humbur me shpejtësi kaq të madhe mbështetjen e qytetarëve duke e akuzuar se po refuzon të gjejë zgjidhje për kërkesat e sindikalistëve.
“Lufta e Albin Kurtit kundër sindikatave është pasqyrë e dobësisë dhe rënies së vazhdueshme të tij. Asnjë politikan nuk e ka humbur me shpejtësi kaq të madhe mbështetjen e qytetarëve. Shkakton ankth nëse e mendoni për një moment se mbështetja prej 51% ka rënë me vlera dyshifrore dhe nuk po ndalet”, ka shkruar Gjoshi.
Ai më tutje theksoi se Kurti nuk është duke dëshiruar zgjidhjen dhe se qëllimi i tij është sundimi mbi sindikatat.
“Ky qëllim i tij është i lidhur me rënien e tij, sepse kur politikanët humbasin mbështetjen e qytetarëve, ata mundohen që përmes formave jo-demokratike ta ruajnë pushtetin. Kështu po vepron Kurti, që duke sunduar sindikatat ai po dëshiron të shuajë çdo gjë që mund të duket kritike për qeverinë e tij”, shkroi Gjoshi.


