Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara e ka urdhëruar Rusinë që ta ndalë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, teksa gjyqtarët thanë se ishin “thellësisht të shqetësuar” nga pushtimi i paprovokuar i Moskës, që nisi muajin e kaluar.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) publikoi vendimin sot, duke thënë se 13 gjyqtarë votuan për dhe dy kundër këtij vendimi. Ky urdhër vjen pasi Kievi ka ngritur një rast për pretendimet ruse se Ukraina po kryen gjenocid në shtet, gjë që ishte edhe një prej preteksteve të Rusisë për të nisur pushtimin më 24 shkurt.
“Gjykata është e vetëdijshme për shtrirjen e tragjedisë njerëzore që po ndodh në Ukrainë. Gjykata është thellësisht e shqetësuar për përdorimin e forcës nga Federata Ruse në Ukrainë, që ngre çështje shumë serioze të së drejtës ndërkombëtare”, tha gjyqtarja Joan Donoghue gjatë leximit të vendimit të gjykatës.


