Sporti

Gjithçka çka ndodhi në ditën e parë të garuesve nga Kosova në Lojërat Mesdhetare

06/26/2022 23:50
nga:Lorik J

Kosova në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë përfaqësohet me 39 sportistë në 13 sporte të ndryshme, ndërsa ditën e sotme garuesit/et nga Kosova kanë luajtur vetëm në sportet si karate dhe boks.

Fillimisht ishte karateistja, Albulena Gërvalla, e cila filloi mbarë misionin e saj drejt medaljes në Lojërat Mesdhetare, pasi mposhti në çerekfinale francezen, Assma Charif.

Gërvalla pastaj në gjysmëfinale në kategorinë e 55 kilogramëve pësoi humbje nga algjeriania, Abouriche Louiza, por në këtë duel garuesja kosovare pati edhe një lëndim.

Karateistja megjithatë humbi edhe në garën për medaljen e bronztë nga italiania, Veronica Brunori, me ç’rast edhe përfundoi në vendin e pestë në kategorinë e 55 kilogramëve të karatesë.

Për herë të parë debutoi në Lojërat Mesdhetare karateisti, Elhami Shabani, i cili pësoi humbjen në raundin e parë nga kampioni olimpik i Tokio 2020, italiani Luigi Busa, në kategorinë e 75 kilogramëve, transmeton Gazeta Metro.

Pas karatesë ishte radha e boksit dhe boksieri, Shpëtim Bajoku, shënoi fitore në raundin e parë të garave, ku mundu me vendim unanim tunizianin, Abdesalem Sassi, në kategorinë e 63 kilogramëve.

Humbje në sportin e karatesë pësoi edhe karateistja, Adelina Rama, e cila u mposht në raundin e parë nga Anthi Stylianoi e Qipros, në kategorinë e 61 kilogramëve. Ndërsa, karate i vazhdon garat nesër dhe në program janë Fortesa Orana dhe Melos Gashi.

Patriot Behrami për shkak të një lëndimi që kishte pësuar në raundin e tretë sipas trajnerit të tij, nuk arriti të mposht në kategorinë e 69 kilogramëve në boks marokenin, Hamza El Barbari, ku trajneri, Besim Brahimi, e kishte dorëzuar meçin.