Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023, ku ndër gjetjet kryesore për Sistemin e Drejtësinë thekson se Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional.
Sipas këtij raporti, Kosova ka bërë përparim të kufizuar në harmonizimin e legjislacionit kosovar me atë të BE-së. Janë vërejtur disa përmirësime në funksionimin e gjyqësorit, si dhe në hetimin dhe ndjekjen penale në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, në kapitullin për Drejtësinë të këtij Raporti ndër të tjera thuhet se janë bërë përmirësime sa i përket rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërsa, sa i përket organizimit të administratës gjyqësore ky raport thekson se ka joefikasitet.
Në këtë raport po ashtu theksohet nevoja për të përforcuar lirinë e shprehjes.
Sipas këtij raporti, vendimi i qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe miratimi i Ligji për pagat nga Kuvendi, kanë ngritur shqetësime në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit.
Sa i përket Vetingut, Raporti i Progresit thekson se Kosova duhet të rikonsultohet me Komisionin e Venecias gjatë gjithë procesit të finalizimit të amendamenteve-kushtetuese.
“Në shtator 2022 , Qeveria i dorëzoi Kuvendit dosjen lidhur me kontrollet e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ngriti një komision ad hoc për të finalizuar ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionin përkatës për kontrollin e integritetit të pozicioneve të larta në sistemin e drejtësisë, në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias të qershorit 2022. Kosova duhet të sigurojë që Komisioni i Venecias të rikonsultohet gjatë gjithë procesit të finalizimit të projekt- amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës në lidhje me reformën në drejtësi”, thuhet në këtë raport.
Tutje, raporti përmend edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku ndër të tjera thuhet që udhëzimet e Komisionit të Venecias duhet të inkorporohen në Ligjin e ri.
Në këtë raport theksohet se rekomandimet e Komisionit sa i përket drejtësisë nga viti i kaluar janë përmbushur vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye të njëjtat mbeten të vlefshme sërish.
Në këtë raport është kritikuar edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës sa i përket vonesave të vazhdueshme të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës.
Sa i përket largimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga Institucionet e Republikës së Kosovës, Raporti i Progresit ka theksuar se KGJK dhe KPK kishin vendosur ta shtyjnë çdo vendim për dorëheqje duke marrë masa që lëndët të vazhdojnë të trajtohen.
Sa i përket pavarësisë dhe paanshmërisë së sistemit të drejtësisë, Raporti i Progresit ka theksuar se Këshillat duhet të sigurojnë reagim të menjëhershëm në të gjitha rastet e ndërhyrjeve të padrejta.
Po ashtu, sipas këtij raporti edhe vendimi i qeverisë i nëntorit 2022 për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Ligji për pagat, me të njëjtin efekt, ngritën shqetësime për pavarësinë e gjyqësorit.
Tutje, sa i përket barazisë gjinore në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, raporti thekson se Kosova ka një përqindje të ulët të gjyqtarëve dhe prokurorëve femra në krahasim me shumicën e vendeve të tjera Evropiane.
“Në vitin 2022, Kosova kishte 443 pozita të gjyqtarëve me orar të plotë (155 gra dhe 288 burra), 24.4 për 100 000 banorë dhe 198 pozita të prokurorit me orar të plotë (82 gra dhe 116 burra), 10.9 për 100 000 banorë. Sipas Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), mesatarja evropiane është 22.2 gjyqtarë dhe 11.8 prokurorë për 100 000 banorë. Kosova ende ka një përqindje të ulët të gjyqtareve dhe prokuroreve femra në krahasim me shumicën e vendeve të tjera evropiane” thuhet në këtë Raport.
Sa i përket efikasiteti të sistemit gjyqësor Raporti i Progresit thekson se ka përmirësim pak, megjithatë shqetësuese sipas këtij raporti mbetet kohëzgjatja e procedurave gjyqësore.
Po ashtu, edhe politika ndëshkimore që ka qenë në vazhdimësi kritikë në raportet e monitorimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), është theksuar në këtë raport për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, duke thënë që nuk po zbatohet Udhëzuesi i Gjykatës Supreme për politikën ndëshkimore.


