Sporti

Gjermania mund të ketë gjashtë klube në Champions League sezonin e ardhshëm, një gjë e tillë s’ka ndodhur kurrë

04/17/2024 16:29
nga:Lorik J

Gjermania mund të ketë gjashtë ekipe në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, ka konfirmuar UEFA. Në historinë e kompeticionit elitar të futbollit për klube, nuk ka ndodhur kurrë që një vend të ketë gjashtë ekipe në këtë garë.

Një rezultat i tillë do të ndodhte nëse Borussia Dortmund do të fitonte edicionin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve, pa qenë në mesin e katër skuadrave më të mira në Bundesligë dhe nëse Gjermania do të merrte një nga dy vendet shtesë që do t’u jepen vendeve më të suksesshme në UEFA.

Borussia ka hyrë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Atletico Madridin dhe do të luftojë për një vend në finale kundër Paris Saint-Germain. Skuadra nga Dortmundi është aktualisht në vendin e pestë në Bundesligë, por është e barabartë me pikë (56 pikë) me RB Leipzig të vendit të katërt.

Në sezonin e ardhshëm, Champions League do të zgjerohet në 36 klube, nga 32 që janë aktualisht në pjesën e parë të kompeticionit, kështu që dy shtetet më të suksesshme do të marrin dy vende shtesë.

Në përmirësimin e koeficientit gjerman mund të ndihmojë edhe Bayerni, nëse përmes Arsenalit do të arrinte në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, si dhe kampionit të ri gjerman Bayer Leverkusen, i cili po lufton për një vend në gjysmëfinale të Europa Leagues kundër West Ham United të Londrës.

/GazetaBlic Sport