Lajme

Gjendja e rënduar pas vërshimeve, Gjilani kërkon nga Qeveria krijimin e një fondi emergjent

05/28/2021 10:04
nga:M K

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se në disa pjesë të këtij qyteti gjendja është e rënduar si pasojë e vërshimeve të mëdha që janë duke ndodhur që nga dita e djeshme.

Ai ka deklaruar se zonat më të goditurat janë fshatrat Pogragjë dhe Sllubicë.

“Gjendja e rëndë është duke vazhduar nga vërshimet e të reshurave. Vështirë e kalueshme është edhe rruga e Karadakut që të dërgon nga Gjilani për në Maqedoninë e Veriut. Unë jam në teren me të gjitha ekipet jemi duke e monitoruar situatën dhe jemi duke bashkëbiseduar me njerëz”.

“Dëme të mëdha materiale ka, por dëme në njerëz nuk ka. Në fshatin Pogragjë janë dëmtuar disa ura, janë bllokuar edhe 30 shtëpi, banorët e të cilave nuk kanë mundësi të dalin deri tek rruga kryesore pasi është prishur një urë, jemi duke u munduar me FSK-në që të vendosim ndonjë urë automatike”, ka thënë Ismajli për Klan Kosova.

“Kërkojmë nga Qeveria që të ndihmojë me ndonjë fond emergjent për këto zona, sepse nuk jemi ndihmuar edhe pse kemi qenë të goditur edhe në muajin janar”, ka thënë Ismajli.

LEXO EDHE:

Shpëtohen 9 anëtarë të një familjeje në Pogragjë të Gjilanit që rrezikoheshin nga përmbytja