Sporti

Vjen reagimi nga Faruk Statovci: Kërkoj falje, kjo nuk përfaqëson kulturën time

03/15/2025 17:54
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Rilindjes, Faruk Statovci, ka reaguar pas një videoje që qarkullon në rrjetet sociale, ku ai shfaqet i nervozuar.

Ai ka kërkuar falje për sjelljen e tij, duke theksuar se ishte një reagim i çastit dhe nuk përfaqëson kulturën e tij.

Statovci e ka cilësuar si “skandaloz dhe të pajustifikueshëm” vendimin e gjyqtarit për të akorduar një penallti kundër ekipit të tij në ndeshjen Trepça 1:1 Rilindja. Ai ka kritikuar ashpër referimin dhe ka bërë thirrje për drejtësi dhe një garë të ndershme në futbollin kosovar.

REAGIMI I PLOTË:

“Të nderuar shikues dhe tifozë të futbollit,

Në rrjetet sociale dhe portale po qarkullon një video ku shfaqem i nervozuar. Për këtë sjellje kërkoj falje, pasi nuk përfaqëson kulturën time, por ishte një reagim i çastit. Arsyeja e këtij reagimi është ajo që ndodhi sot në fushë gjatë ndeshjes Trepça 1:1 Rilindja, ku skuadra jonë, Rilindja, u dëmtua rëndë nga vendimet e gjyqtarëve.

Vendimi për të akorduar një penallti të padrejtë kundër nesh ishte i pajustifikueshëm dhe skandaloz. Një referim i tillë nuk i shërben futbollit kosovar dhe është jashtë çdo standardi. Si trajner, gjatë gjithë karrierës sime nuk kam përjetuar një referim të tillë, as para dhe as gjatë luftës. Kjo është e tepërt dhe e papranueshme.

Shpresoj që drejtësia në futboll të triumfojë dhe të kemi një garë të ndershme për të gjithë.”