Lajme

Gërvalla: Ka progres në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës

10/07/2022 21:36
nga:Arsim Buxhovi

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se aplikimi i Kosovës është hequr nga agjenda për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Duke folur në “RTK Prime” për situatën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, ajo ka thënë se është bërë një progres i mirë në këtë drejtim.

“Ne kemi vendosur ta dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në maj dhe ka lëvizje në aspektin e trajtimit. Delegacioni ynë nga Kuvendi i Kosovës për herë të parë do të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare me të drejtë të plotë fjale dhe ky është një progres i mirë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se shumë shtete në procesin e anëtarësimit kanë pritur me vite të tëra, por beson se në rastin e Kosovës, një gjë e tillë do të arrihet shumë shpejt.

“Besoj se Kosova do të shënojë një prej rekordeve për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës sepse mendoj se edhe atmosfera por edhe progresi i Kosovës e mundëson një gjë të tillë“, ka shtuar ministrja.

Sa i përket pohimeve të palës serbe se Kosova është hequr nga agjenda në mbledhjen e 5 tetorit, ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron.

“Nuk iu kundërpërgjigjem fare (autoriteteve serbe, v.j.) sepse ata nuk i besojnë vetes kur flasin. Kosova nuk është hequr nga agjenda. Kosova nuk ka qenë në agjendë, por në mbledhjen e 5 tetorit është diskutuar dhe është bërë një progres i mirë”, ka nënvizuar Gërvalla.

Ajo nuk ka dashur të japë data rreth asaj se kur do të trajtohet aplikimi i vendit tonë për anëtarësim në KE. “Nuk është e imja të them data sepse është çështje e presidencës së radhës. Irlanda e ka presidencën e radhës në Këshillin e Evropës dhe është vendim i Irlandës se me cilën tempo dhe cilat data do t’i zgjedhë. Ajo çfarë mund të them është se jemi shumë afër momentit kur kërkesa jonë do të procedohet në asamblenë parlamentare ku ajo edhe duhet trajtuar”, është shprehur Gërvalla.