Liga e Kampionëve vjen me dy gjysmëfinale fantastike, me shumë spektakël në Spanjë dhe Itali.
Sonte, me fillim nga ora 21:00, Real Madrid dhe Manchester City duelojnë në tempullin ‘Santiago Bernabeu’, kurse nesër, Milani dhe Interi luftojnë në derbin e Madoninnës, shkruan GazetaBlic Sport.
Njëra ndër gazetaret më të mira shqiptare, Vilma Masha ka komentuar dy ndeshjet që do të zhvillohen, duke besuar se do të ketë spektakël dhe rivalitet të madh.
Ajo tha se pret një ndeshje të magjishme sonte në Spanjë, ashtu siç i ka hije Champions League. Poashtu, Masha vuri theksin tek superioriteti momental i Cityt, që do të përballet me historinë e ndritur që kanë mbretërit spanjollë, duke pretenduar se është një finale para finales.
“Personalisht, pres një ndeshje të magjishme siç i ka hije Champions League. 2 skuadra të forta që luajnë ndryshe. Reali i Ancelottit synon të bëjë hapin e parë drejt finales së madhe përballë fantastikëve të Guardiolës. Anglezët shpresojnë shumë për trofeun e madh këtë vit për shkak të rezultateve super pozitive. Më duket se skuadra e Guardiolës është një skuadër perfeksioniste. Ndërsa nga ana tjetër, ata përballen me histori suksesi, një ekip si Reali që në lojë është i jashtëzakonshëm. Të gjithë e konsiderojnë si finalen e vërtetë të këtij sezoni, megjithë shkëlqimin që sjellin yjet e skuadrave. Shumë trofe dhe kampionë do të zbresin sonte në fushë, pse jo për të na magjepsur me futbollin elitar”, tha fillimisht Masha për ‘GazetaBlic Sport.

Më pas, ajo komentoi edhe ndeshjen tjetër mes Milanit dhe Interit, ku tha se kjo ndeshje do të shoqërohet me një tjetër ‘muzikë’ nga ajo në Spanjë, duke thënë se pret që të dy skuadrat të jenë shumë të kujdesshme.
Masha, poashtu tha se presioni është tek skuadra e Interit, kjo për faktin se një dështim i mundshëm mund të rezultojë me shkarkimin e trajnerit Inzaghi.
“Derbi italian do të jetë një tjetër ‘muzikë’. E shoh si një ndeshje të kujdesshme, cinike, ku skuadrat do të jenë të kujdesshme për të marrë një rezultat pozitiv. Nuk e di nëse do të luajnë si në kampionat, apo Interi dhe Milani do të transformohen nën magjinë e Champions League. Derbi i Madoninës është një ndeshje që e kemi shijuar prej vitesh, por besoj se Champions League e bën këtë ndeshje edhe më të veçantë. Me luhatje në kampionat, Milan dhe Inter arritën të jenë në gjysmëfinale në këtë kompeticion. Në fakt e dimë që derbi është gjithmonë me tension, ndoshta këtë herë mund të flasim ndryshe. Rivalët e përjetshëm si 20 vite më parë në arenën e ‘Champions’. Trajneri i Milanit, Pioli, duket i bindur për shanset që kuqezinjtë kanë në këtë sfidë, duke matur edhe një herë forcat me zikaltërit e Inzaghit. Besoj se trajneri i Interit ka më shumë presion, pas asaj që i ka kërkuar presidenca. Dështimi sjell menjëherë shkarkim për të. Nuk shoh ndeshje me shumë gola. Jemi në pritje të gjithçkaje që na ofrojnë yjet italianë”, përfundoi Masha.
/GazetaBlic Sport/


