Sporti

Gazetari rumun, Silviu Corneanu: Ermal Krasniqi ishte fantastik, erdhi si “bombë”, nëse vazhdon kështu do bëhet lojtari më i mirë në ligë

01/24/2023 19:09
nga:Lorik J

Ermal Krasniqi ka bërë debutimin më të mirë që mund ta kishte menduar.

Futbollisti kosovar i cili u transferua nga Ballkani në Cluj në këtë afat kalimtar ka shkëlqyer qysh në ndeshjen e parë ndaj Farul Constanta, shkruan GazetaBlic Sport.

Një gol dhe një asistim në derbi, duke çuar kështu ekipin e Cluj në vendin e parë kanë qenë të mjaftueshme që opinioni sportiv në Rumani të jenë në dashuri me futbollistin shumë premtues nga Kosova, Ermal Krasniqi.

Gazetari i njohur sportiv në Rumani, Silviu Corneanu ka theksuar se Ermal Krasniqi ishte diçka special në debutimin e tij – duke theksuar se ai është aq i mirë – sa që nuk kishte nevojë për ambientim.

“Ishte një debutim i madh! Ai ishte si një bombë! Askush nuk e priste këtë nga ai. Ai ishte lojtari më i mirë në ekipin e CFR Cluj. Ai ishte mbresëlënës. Veprimet i ka ndërmarrë vetë. Ai nuk kishte nevojë për kohë për t’u akomoduar”, tha fillimisht Corneanu për ‘GazetaBlic Sport’.

Corneanu potencon se nuk është e lehtë që të fitosh besimin trajnerit të Cluj, Dan Petrescu – i cili njihet për karrierën e tij tek Chelsea sa ishte lojtar.

“Ai ia doli t’i lërë përshtypje Dan Petreskut dhe kjo nuk është e lehtë. Mendoj se ai do të jetë numri 1 i ri në sulmin e CFR-së. Do të jetë e vështirë për dikë që ta largojë atë nga ekipi. Ai ka forcë, teknikë, shpejtësi. Mendoj se ai do të bëjë një sezon të mrekullueshëm në Ligën e Parë të Rumanisë. Nëse vazhdon kështu, do të jetë një nga lojtarët më të mirë në Ligën tonë”, vazhdoi ai.

Në fund, gazetari sportiv parashikon se Krasniqi mund të jetë lojtar kyç në ligën rumune dhe të shitet në ndonjë ekip të madh në verë, gjithmonë nëse vazhdon me këtë ritëm siç e ka filluar.

“Po, ai mund të jetë një lojtar kyç për Cluj, këtë sezon. Unë besoj se ai do të vazhdojë kështu, në ndeshjet e ardhshme, ai patjetër do të shkojë në një ekip tjetër në verë. Ai ka shansin të shihet nga ekipe më të mëdha, por do të duhet të punojë shumë dhe të vazhdojë të bëjë punën e mirë”, përfundoi gazetari sportiv Silviu Corneuanu.

/GazetaBlic Sport