Shqipëria do të ketë dy ndeshje tejet të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve të Kampionatit Evropian.
Kuqezinjtë do të kërkojnë të sigurojnë kualifikimin në transfertë ndaj Moldavisë të premten në ndeshjen që zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin “Stadionul Zimbru” në Chisinau.
Gazetari i njohur nga Moldavia që tashmë është edhe agjent i licensuar nga FIFA, Evghenii Draganov ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ ku ka potencuar se kjo ndeshje do jetë me rëndësi tejet të veçantë për të dy kombëtaret.
“Për herë të parë në historinë e futbollit në Moldavi, kombëtarja jonë ka shanse reale për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian. Kjo ndeshje ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm këtu në Moldavi pasi të gjitha tiketat janë shitur para dy jave. Të gjithë fansat po e presin këtë ndeshje. Për ne kjo do jetë ndeshje ‘jetë apo vdekje’, sepse në rast të suksesit do kemi një rast real për “Euro 2024”, tha fillimisht ai.
“Shqipëria është favorite për këtë takim edhe pse luajnë në udhëtim. E kemi parë që Shqipëria është një kombëtare tejet e mirë, kanë lojtarë me emra që luajnë në kampionate të rëndësishme evropiane. Megjithatë edhe Moldavia ka treguar që mund të befasojë dhe të mposht çdo skuadër, ashtu siç ndodhi me Poloninë duke fituar 4 pikë ndaj tyre dhe tani çdo gjë është e mundur”, shtoi ai për GazetaBlic Sport.
“Jasir Asani dhe Myrto Uzuni janë dy kërcënimet më të mëdha nga Shqipëria për Moldavinë, Jasir Asani është një lojtar i jashtëzakonshëm ka statistika tejet të mira. Gjithashtu Myrto Uzuni është një shembull i mirë i një lojtari që ka treguar rritje graduale në karrierën e tij dhe do jetë tejet i rrezikshëm për mbrojtësit moldav.
Shqipëria padyshim që do të jetë ekip shumë i motivuar dhe do të luaj me shpejtësi të lartë pasi i duhet vetëm një pikë për të siguruar kualifikimin dhe nuk mendoj që Shqipëria do të pres ndeshjen ndaj Ishujve Faroe për ta bërë këtë. Shqipëria do të synoj të mbyllë të gjitha dyshimet në këtë duel”, përfundoi Draganov për GazetaBlic Sport.


