Skaudra e Ballkanit ka arritur një fitore të jashtëzakonshme mbrëmë ndaj Dinamo Zagreb.
Kampioni i Kosovës triumfoi me rezultat 2 me 0, duke mposhtur një skuadër me traditë të madhe në futbollin evropian, shkruan GazetaBlic Sport.
Kishte një zhgënjim të madh tek kampi kroat pas ndeshjes dhe mediat atje raportojnë edhe për zhurmë dhe tensione në zhveshtore.
Mediumi ‘Index.hr’ shkruan se kishe tone të ngritura të zërit, me trajnerin që nuk ishte absolutisht i kënaqur me skuadrën dhe paraqitjen e tyre.
Gazetari kroat, Stjepan Mati është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’, atje ku tha se Dinamo bëri një paraqitje amatore, duke treguar edhe problemet e mëdha me të cilat po përballet kjo skuadër.
Mati tha se problemet e Dinamos u dëshmuan qartë, por se Dinamo duhej të fitonte ndaj Ballkanit me çdo kusht, qoftë edhe me një skuadër rezervash.
“Dinamo është në një fazë të turbullt në muajt e fundit, gati një vit. Në drejtuesit e klubit ka pasur grindje të mëdha për personat që do të ulen në bord. I gjithë klubi ishte i fokusuar vetëm në ato tema “jo futbollistike” dhe ndërkohë lojtarët kyç u larguan në dy merkatot e fundit dhe askush nuk u kujdes sa duhet për ekipin dhe rezultatet. Gjithçka ishte në rregull kur Dinamo fitoi titullin sezonin e kaluar dhe pritshmëritë ishin të mëdha në këtë sezon dhe më pas filluan të ndodhin zhgënjimet. Fillimisht humbja ndaj AEK-ut në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, më pas humbja ndaj Sparta Prage në Ligën e Evropës pas fitores 3:1 në shtëpi.
“Në kampionatin vendas Dinamo humbi nga Hajduk i Splitit në raundin e parë dhe gjithçka nisi keq. Më pas trajneri u ndryshua pas humbjes ndaj AEK-ut dhe trajneri i ri Sergej Jakiroviç po bënte mirë deri në fundjavën e kaluar kur humbi sërish ndaj Hajdukut, kësaj radhe në Split, ndërsa dje ndaj Ballkanit ishte një kulm i gjithçkaje që ndodhi në dy muajt e fundit. Lojtarët kyç (Livakoviç, Ivanušec, Shutalo) u larguan dhe nuk ka kush t’i zëvendësojë. Lojtarët e ardhur thjesht nuk janë mjaftueshëm të mirë dhe mund ta shihni këtë gjë kundër Ballkanit. Kjo ishte më së shumti ekipi rezervë, por nëse rezervat e Dinamos nuk mund ta mposhtin kampionin e Kosovës, atëherë Dinamo është në telashe të mëdha“, tha fillimisht ai.

Tutje, ai tha fjalë të mëdha për skuadrën e Ballkanit, duke e vlerësuar kampionin e Kosovës si një ekip shumë të organizuar, por që sipas tij Dinamo nuk duhet të ketë probleme ndaj skuadrave të tilla, asesi jo në mungesë respekti, por që forca dhe historia e gjigantit kroat e bëjnë të veten.
“Ne e dinim që Ballkani po bën mirë, ata janë më të mirë çdo vit dhe trajneri gjithmonë thoshte “Do të jetë shumë e vështirë t’i mposhtim në Prishtinë”. Por gjithsesi kjo është Dinamo e Zagrebit dhe Dinamo nuk duhet të ketë probleme ndaj një skuadre nga Kosova. Nëse e kuptoni se çfarë po them… Nuk është se Ballkani është një ekip i keq, problemi për ne dhe tifozët e Dinamos është se Dinamo thjesht nuk është mirë. Sa i përket Ballkanit, është një ekip vërtet i organizuar, i zgjuar dhe shumë mirë i menaxhuar, i cili duhet të them që më ka befasuar. Por për mendimin tim, Dinamo do ta fitonte atë ndeshje nëse lojtarët nuk do të silleshin në fushë sikur po luanin kundër amatorëve. Ballkani është një ekip shumë i mirë dhe i uroj fat në të ardhmen”, përfundoi gazetari kroat.
/GazetaBlic Sport/


