Rafael Leao, sulmuesi brilant i Milanit, ka mbetur në shok pasi ka dëgjuar këshillat e një gazetari se si duhet të veprojnë rivalët e Milanit kur luajnë kundër tij. Michele Criscitiello, njeriu i parë i Sportitalia, i ka “këshilluar” që t’ia thyejnë këmbët.
Criscitiello ka “këshilluar” lojtarët e rivalëve të Milanit në programin live të një televizioni se si të ruajnë portugezin e shpejtë. Ai deklaroi: “Ne e dimë se kush është Leao, mos e lini t’i ketë ato vrapimet e tij. Merr karton të verdhë, të kuq, portokalli apo çfarëdo, thyej këmbët.”
Leao mbeti i tronditur nga deklarata e tij dhe reagoi në Twitter: “Problemi nuk është se kush i thotë këto gjëra, problemi janë ata që e lejojnë atë”.
Criscitiello gjithashtu shkoi në rrjetet sociale për të sqaruar se ai nuk e kishte fjalën për atë që tha, por se donte të ilustronte se Leao është i pandalshëm kur fillon të vrapojë nga gjysma e fushës së tij. “A nuk e kupton vërtet pikën? Leao mund të ndalet vetëm nëse i “këputen” këmbët sepse është fenomen”, ka shkruar ai.
/GazetaBlic Sport


