Kosova do të përballet sonte me kombëtaren e Greqisë në kualifikueset e Kupës së Botës.
“Dardanët” synojnë fitoren e madhe në këtë takim, sidomos pas rezultatit pozitiv që vjen nga ndeshja me Gjeorgjinë.
Megjithatë, pritet të jetë një sfidë shumë e luftuar nga dy kombëtaret.
Gazetari grek i portalit, InsideFutbol, Johnny Georogopolus, ka komentuar për GazetaBlic Sport këtë takim.
Ai tha fillimisht se Greqia ka nevojë të madhe për fitore në këtë takim, por do ta ketë shumë të vështirë ndaj një kundërshtari si Kosova.
“Kjo është një lojë vendimtare për Greqinë. Natyrisht, pas humbjes së Spanjës nga Suedia, duhet të them se kjo është një ndeshje e domosdoshme për të fituar. Greqia synon të përfundojë edhe në pozitën e dytë të Grupit B, kështu që pas barazimit të panevojshëm në shtëpi kundër Gjeorgjisë ata duhet ta mposhtin Kosovën në mënyrë që të dalin në vendin kualifikues. Sipas mendimit tim do të jetë një lojë e vështirë. Kosova është një skuadër që lufton nga minuta e parë deri në minutën e fundit. Greqia përveç pikëve ka nevojë për këtë fitore si një shtysë psikologjike, sepse ata nuk kanë fituar deri më tani”, tha fillimisht Georogopolus.
Më pas ai tha se ka ndjekur Kosovën në ndeshjet e zhvilluara dhe se i pëlqen forma se si luan kombëtarja jonë.
Madje, ai tha se e ka ndjekur që moti sulmuesin Vedat Muriqi, futbollist ky që i pëlqen më së shumtim
Ai përmendi edhe Milot Rashicën, si dhe tha se pengu i Greqisë është se nuk ka lojtar të tillë si Kosova që dijnë të jenë vendimtar në situata të ndryshme.
“Kam ndjekur ndeshjet e Kosovës. Kosova po luan shpejt në tranzicion dhe ata po sulmojnë për shkak të aftësisë për të lëvizur topin në rrugën e duhur. Problemi është mungesa e përqendrimit të vijës mbrojtëse, por pas një rezultati negativ, Kosova tregoi kundër Gjeorgjisë se ata janë përsëri në rrugën e duhur. Lojtari që më pëlqen më shumë është sulmuesi i Lazios, Vedat Muriqi. Kam ndjekur karrierën e tij në Rizerspor dhe Fenerbahce. Një sulmues klasik i gjatë që mund të shkaktojë probleme në mbrojtjen greke. Më pëlqen gjithashtu mesfushori ofensiv i Norwich, Milot Rashica i cili humbi ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Të dy janë lojtarë cilësorë që mund të shkaktojnë probleme në mbrojtjen e Greqisë. Greqia nën drejtimin e John Van’t Schip është duke luajtur futboll produktiv, ata kishin një përqindje të lartë të zotërimit të topit, ata krijonin shanse, por problemi është mungesa e efikasitetit në përfundimin e aksioneve. Kjo ndodhi kundër Gjeorgjisë dhe madje edhe në ndeshjen e fundit miqësore kundër Zvicrës. Nuk ka në Greqi një lojtar si Muriqi që të shënojë golat lehtë”, vazhdoi Georogopolus për GazetaBlic Sport.
Në fund, ai komentoi ndeshjen e vitit të kaluar në mes dy kombëtareve, si dhe parashikoi rezultatin përfundimtar të kësaj sfide.
“Një vit më parë Greqia në të njëjtin stadium Fadil Vokrri fitoi 2-0, por kjo është një lojë shumë më ndryshe. Mendoj se këtë herë Kosova do të shënojë. Unë parashikoj një rezultat përfundimtar midis 1-1 ose 1-2, nëse Greqia është më efektive. Gjithsesi nuk ka lojëra të lehta për Greqinë kështu që besoj se do të përcaktohet nga detajet”, përfundoi ai.
Kujtojmë që ndeshja e sontme zhvillohet në ora 20:45 në Prishtinë.
/GazetaBlic Sport/


