Ministrja e Jashtme e Kosovës thotë se SHBA-ja është “sigurimi i jetës” i vendit. BE-ja nuk ka qenë “mjaftueshëm serioze në parandalimin e konflikteve dhe ka humbur autoritetin në masë të konsiderueshme”. Por burimi i BE-së tha se Kosova “para së gjithash duhet të fokusohet në atë që duhet ta bëjë Kosova”.
Ministrja e Jashtme e Kosovës i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe aleatëve të tij evropianë që të bëjnë më shumë për të parandaluar që Ballkani Perëndimor të rrëshqasë sërish në konflikt etnik, duke i akuzuar këta të fundit për humbje të besueshmërisë dhe autoritetit në rajon.
Donika Gërvalla-Schwarz tha në një intervistë ekskluzive për Newsweek se Rusia dhe aleatët e saj rajonalë – veçanërisht në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë – po shfrytëzojnë hezitimin e Bashkimit Evropian dhe po nxisin të njëjtat ndarje etnike që tërhoqën Ballkanin në dhunë brutale në vitet 1990.
Ajo sugjeroi se një ndryshim i tillë po hap derën për ndikim më të madh rus dhe kinez në zemër të kontinentit evropian.
“Duke injoruar gjerësisht rreziqet në rritje, BE-ja ka humbur – dhe po humbet dita-ditës – kredibilitetin dhe autoritetin në Ballkan”, tha Gërvalla-Schwarz, vajza e aktivistit kosovaro-shqiptar Jusuf Gërvalla, i cili dyshohet se u vra nga policia sekrete e Jugosllavisë në Gjermani në vitin 1982.
“Nga njëra anë, ata kanë atë që e quajnë metodologjia e BE-së për hapjen ose moshapjen e bisedimeve të anëtarësimit me vendet e Ballkanit. Por nga ana tjetër, BE-ja nuk është mjaft serioze në parandalimin e konflikteve dhe ka humbur autoritet të konsiderueshëm duke shmangur rreptësisht adresimin e ngacmimit agresiv të Ballkanit”, shtoi Gërvalla-Schwarz.
“Krejt dukshëm, Serbia është ajo që po sillet gjithnjë e më agresive ndaj të paktën tre fqinjëve; përkatësisht Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës”, tha ajo, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për ngritjen e tensioneve me dashje.
Ekspertiza e Bidenit në çështjet e Ballkanit mund të jetë jetike në zbutjen e tensioneve rajonale, tha Gërvalla-Schwarz: “Shtetet e Bashkuara janë për Republikën e Kosovës garancia e saj, sigurimi i saj i jetës”.
“Ne e dimë se Kosova ka një mik të vërtetë dhe të besueshëm në Shtëpinë e Bardhë, i cili e njeh Kosovën që nga vitet 1990 dhe që ka qenë shumë mbështetës gjatë gjithë rrugëtimit tonë të vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë.”
Gërvalla-Schwarz hodhi poshtë gjithashtu çdo sugjerim se Shtëpia e Bardhë po ftoh raportet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, administrata e të cilit thuhet se fillimisht ishte lënë jashtë listës së të ftuarve për Samitin e Demokracisë të Bidenit. Presidentja e vendit Vjosa Osmani në fund mori një ftesë.
“Na takon ne të bindim miqtë dhe aleatët tanë për hapat që po ndërmarrim në fusha të ndryshme,” tha Gërvalla-Schwarz. “Por nuk ka asnjë dyshim dhe nuk duhet të ketë; Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë shumë fuqishëm në anën tonë.”
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Newsweek se të gjitha ftesat e Samitit të Demokracisë u dorëzuan dhe u njoftuan në të njëjtën ditë; 12 nëntor.
“Ne duam të angazhohemi, të inkurajojmë ndryshime pozitive dhe të mësojmë nga përvoja e përbashkët”, tha zëdhënësi. “Ne presim me padurim zotimet që do të sjellë Kosova në Samit dhe të punojmë me qeverinë, shoqërinë civile dhe gjithë popullin e Kosovës për zbatimin e këtyre zotimeve.”
Kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, shumica e saj shqiptare – që përbën mbi 90 përqind të popullsisë – ishte kryesisht në favor, pavarësisht protestave nga pakica e vogël serbe, e cila përbën më pak se 2 përqind të popullsisë.
Deri më tani, 117 shtete e kanë njohur Kosovën. Këto nuk përfshijnë Serbinë, Rusinë ose Kinën.
Pa njohje reciproke, mosmarrëveshjet e gjata mund të rriten shpejt. Së fundmi, trupat janë vënë në gatishmëri të lartë në të dyja anët e kufirit Kosovë-Serbi për shkak të mosmarrëveshjes për targat.
Që kur Kosova shpalli pavarësinë, Serbia ka kërkuar që makinat që kalojnë kufirin nga Kosova duhet të kenë targa të Serbisë. Në fillim të këtij viti, Kosova bëri presion për barazi, duke bllokuar automjetet serbe që të hyjnë në Kosovë, nëse ato nuk vendosin targa të lëshuara nga Prishtina.
Mijëra serbë etnikë protestuan në kufi, të zemëruar me përpjekjen e perceptuar të Kosovës për të legjitimuar veten si një shtet i pavarur. U hodhën granata, u dogj zyra e regjistrimit të automjeteve në Kosovë dhe Serbia vendosi forcat speciale në pikat kufitare.
“Ne jemi shumë të shqetësuar sepse gjuha në Serbi ka ndryshuar shumë”, tha Gërvalla-Schwarz për Newsweek. “Ka pasur raste kur mund të kishit pasur përshtypjen se Serbia po përpiqet të ketë marrëdhënie më të mira me të gjithë fqinjët e saj. Por kjo ka ndryshuar vitet e fundit me presidentin Vuçiq. Serbia tani po kërcënon hapur fqinjët me luftë.”
Gërvalla-Schwarz akuzoi Serbinë se edhe në Bosnje dhe Hercegovinë po mbjell trazira. Atje, përfaqësuesi presidencial serb Milorad Dodik po kërcënon me një marrëveshje multietnike për ndarjen e pushtetit dhe të tërheqë Republikën Srpska – entitetin e dominuar nga serbët që përbën një pjesë të Bosnjës – nga institucionet kombëtare, duke përfshirë forcat e armatosura.
“Ne jemi vërtet të shqetësuar për atë që mund të ndodhë atje në janar të vitit 2022 me rastin e 30-vjetorit të krijimit të asaj që ata e quajnë Republika Srpska, e cila në fakt u themelua mbi gjenocid”, tha Gërvalla-Schwarz.
“Udhëheqësi nacionalist serb Milorad Dodik ka kërcënuar se do ta ndajë këtë entitet nga pjesa tjetër e Bosnjës. Çdo vëzhgues e di se Dodik mbështetet fuqishëm nga Serbia dhe Rusia dhe se kjo treshe po paralizon funksionimin e Bosnjës si shtet për dekada të tëra.”
“Po pyes veten nëse dhe si do të reagojë komuniteti ndërkombëtar. Nëse do të ketë mungesë vullneti dhe kërkesa të qarta ndaj Dodikut dhe Vuçiqit, Perëndimi mund të jetë i sigurt se gjuha dhe politika agresive në Serbi nuk do të ndryshojë dhe se 9 janari – që shënon një 30 vjetor simbolik të themelimit të Republika Srpskas – mund të bëhet një ditë që mund të ndryshojë të gjithë rajonin e Ballkanit.”
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i tha Newsweek se kundërshton çdo akuzë për agresion ose nxitje të ndarjeve etnike rajonale.
“Nuk ka njeri në Ballkanin Perëndimor më të aftë për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe qetësinë sesa Republika e Serbisë”, tha një zëdhënës i ministrisë.
“Ne kemi parë, për fat të keq, që nga shtatori disa raunde të përshkallëzimit të rrezikshëm në veri të Kosovës dhe Metohisë,” shtoi zëdhënësi, duke iu referuar Kosovës me emrin e përdorur kur zona ishte pjesë autonome e Serbisë Jugosllave.
“Asnjëra prej tyre nuk është iniciuar nga Serbia a nga popullata vendase serbe, por vetëm nga veprimet e dhunshme të njëanshme dhe të paprovokuara të njësive të militarizuara të policisë shqiptare të Kosovës”.