Lajme

Gashi: Të mos lejohet status eksterritorial për kishat dhe manastiret ortodokse

06/04/2021 19:37
nga:M K

Analisti politik, Shkëlzen Gashi, ka deklaruar se në negociatat mes Kosovës e Serbisë do të diskutohen dy tema dhe ka dhënë ide rreth asaj se çfarë duhet bërë delegacioni i Kosovës për të mbrojtur interesat e shtetit.

“Negociatat do të zhvillohen në dy fusha. E para ka të bëjë me akomodimin e interesave të komunitetit serb në Kosovë, d.m.th krijimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe, dhe e dyta do të jetë për kishat dhe manastiret ortodokse”.

“Kjo është arsyeja kryesore pse ndërmjetësuesit ndërkombëtarë takohen më përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe. Ata nuk takohen me Bashkësinë Islame të Kosovës sepse xhamitë nuk janë teme e negociatave që do zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, kjo na tregon se statusi i kishave dhe manastireve ortodokse serbe do të jetë temë e negociatave”.

“Me pakon e Ahtisarit kishat dhe manastiret ortodokse e kanë statusin e zonës të mbrojtur. Dhe këtë status e kanë fituar për një arsye të vetme, e ajo është trazirat e marsit të vitit 2004, si rezultat i të cilëve prej këtyre kishave dhe manastireve ortodokse janë futur edhe në listën e mbrojtjes së UNESCO-s”, tha Gashi në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Ai po ashtu u shpreh se për fat të mirë gati të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse gjatë luftës nuk janë prekur, dhe se njëjtë ka ndodhur edhe pas luftës, mirëpo më 2004 janë shkatërruar rreth 39 prej tyre, dhe këto kisha e morën statusin e zonës së mbrojtur.

“Pala serbe po kërkon që ato të kenë një status eksterritorial, d.m.th mini shtete ku nuk munden qytetarët e Kosovës të futen lirisht në to. Ose sikur mali Athos në Greqi, pak a shumë ngjashme”.

“Kosova duhet t’i përdorë disa argumente para bashkësisë ndërkombëtare që ky status i zonave të mbrojtura nuk ka nevoje të ndryshohet, sepse gjatë trazirave të marsit në vitin 2004 nuk është se ato janë shkatërruar nga shërbimi policor ose i trupave mbrojtëse të Kosovës”.

“Madje udhëheqësit e atëhershëm të shtetit tonë kanë bërë thirrje që këto kisha e manastire të mos preken”.

“Ka dyshime serioze që këto kisha e manastire të jenë shkatërruar prej vet shteti serb dhe prej vitit 2004-2011 institucionet e Kosovës kanë ndarë rreth 11 milionë euro për renovimin e tyre”.

Ndërkaq, sa i përket xhamive, Gashi tha se gjatë vitit 1998-1999 janë shkatërruar 234 xhami nga policia e ushtria e Serbisë dhe se për renovimin e tyre shteti serb nuk ka paguar asgjë.

Pra sipas tij, këto argumente duhet të përdoren si pretekste për mos avancimin e statusit prej zonës së mbrojtur në status eksterritorial.