Sporti

Gani Sejdiu: Kosovës i duhet patjetër fitorja ndaj Rumanisë, me çdo rezultat tjetër gjasat për kualifikim zbehen shumë

06/12/2023 10:56
nga:E K

Kosova gjatë këtij muaji do të zhvillojë dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kampionatit Evropian.

Me 16 qershor, ‘Dardanët’ presin Rumaninë në Fadil Vokrri, kurse me 19 qershor do të udhëtojë për përballjen ndaj Bjellorusisë, shkruan GazetaBlic Sport.

Aktualisht Kosova ka grumbulluar dy pikë duke barazuar me Izraelin dhe Andorrën, kurse për të arritur kualifikimin Kosova do të tentojë më shumë për këto dy ndeshje.

Trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu ka komentuar dy ndeshjet e ardhshme të “Dardanëve” duke thënë që Kosova duhet që pavarësisht vështirësisë së ndeshjes të dal me pikë të plota nga këto takime pasi nëse kjo nuk ndodhë sipas tij gjasat e kualifikimit zbehen ndjeshëm.

“Realisht ne duhet të mendojmë për rezultate pozitive, ndeshja ndaj Rumanisë është takim i vështirë, pasi Rumania është kombëtare me traditë, pavarësisht që këto vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë sukses, megjithatë ata janë një kombëtare stabile. Ne luajmë si vendas, kemi individ që kanë kaluar momente shumë të mira në kampionatet respektive, kështu që mendojë që ky është një faktor që nëse shfrytëzohet mirë mund të jetë shumë i dobishëm në këtë moment”, tha fillimisht ai për GazetaBlic Sport.

“Kosova luajti mirë në ndeshjet e kaluara, por në atë barazimin e dytë dështuam keq. Fati ndoshta është shumë herët që të përcaktohet nga ndeshja ndaj Rumanisë, por ne duhet të hyjmë për fitore pavarësisht nëse rivali mund të jetë në një nivel pak më të lartë për të cilën edhe kam dyshime. Duke llogarit lojtarët individual nuk mendoj që mund të jetë më lartë se ne. Në këtë rast nuk e kemi komoditetin që të barazojmë, me një rezultat eventual tjetër përpos fitores, gjasat e Kosovës do të zbehen shumë për shkak që ata janë kundërshtar direkt. Përpos fitores me Rumaninë nuk duhet të ketë alternativë tjetër”, përfundoi Sejdiu për ‘GazetaBlic Sport’.