Skuadrat shqiptare nuk performuan aspak mirë në kualifikimet për garat evropiane.
Ballkani e nisi keq me humbjen nga skuadra nga Andorra, Santa Coloma në penallti, teksa fatin e njëjtë e patën edhe Llapi, Malisheva, Shkëndija, Struga, Tirana dhe Vllaznia që humbi thellë nga skuadra nga Islanda, Valur me rezultat 0-4.
Ballkani, Llapi dhe Struga megjithatë marrin pjesë në kualifikimet për Conference League, kurse Shkëndija, Malisheva, Tirana dhe Vllaznia u përshëndetën nga garat evropiane për këtë vit.
Të vetmet që kaluan tutje duke eliminuar kundërshtarët ishin, Egnatia që eliminoi Borac Banja Luka dhe Partizani që eliminoi Marsaxlokk.
Trajneri kosovar, Gani Sejdiu për “GazetaBlic Sport” ka analizuar performancat e ekipeve shqiptare në kualifikimet e garave evropiane.
Sejdiu u shpreh se skuadrat shqiptare në përgjithësi nuk dhuruan paraqitje të mira, teksa tha se ekipet duhet të përqendrohen në projekte afat-gjata dhe me sa më pak lëvizje të stafit teknik dhe të lojtarëve.
“Mund ta quajmë një mos sukses të ekipeve shqiptare në këtë raund të kualifikimeve për garat evropiane. Niveli i kundërshtarëve nuk kanë qenë i lartë, nëse llogarisim nivelin e Shkëndijes, ata duhet të kishin fituar, Struga e kishte pak më të vështirë. Ndërsa sa i përket ekipeve tona, përveç Malishevës që e kishte kundërshtarin më të mirë, nuk e kam prit që do të mposhtet aq lehtë duke llogaritur që ka pasur rezultat të mirë nga ndeshja e parë. Jam i zhgënjyer nga Ballkani, kundërshtari i tyre nuk ka qenë as afër nivelit të Ballkanit, eliminimi i tyre nuk është pritur, ashtu sikur edhe i Llapit. Nuk prisja që Llapi të humb të dy takimet nga ekipi polak, Llapit ndoshta ende i duhet kohë që ekipi të komponohet. Performanca e tyre nuk ishte bindëse duke llogaritur pretendimet e tyre të larta për çdo sezon”, tha fillimisht Sejdiu.
Tutje, Sejdiu thotë se emëruesi i përbashkët i këtyre ‘dështimeve’ në garat evropiane ishte mos planifikimi për një periudhë më të gjatë kohore.
“Nëse e gjejmë një emërues të përbashkët, do të thoja jo qëndrueshmëri nga ekipet, jo vetëm financiare, por qëndrueshmëri në aspektin organizativ, stafit teknik, të lojtarëve. Ka shumë lëvizje në klube si të trajnerëve ashtu edhe të lojtarëve, duhen më shumë planifikime afatgjata, poashtu duhet një plan nacional për zhvillimin e lojtarëve të rinj që të kemi sa më shumë lojtarë vendor dhe të mos kemi nevojë që të marrim shumë lojtarë nga jashtë”, shtoi Sejdiu.
Sejdiu megjithatë beson se skuadrat e mbetura kanë forcën që të kualifikohen në grupet e Conference League.
“Ballkani e ka treguar që ka fuqi dhe nuk ka pasur probleme të mëdha në kualifikim në Conference League. Edhe Egnatia, Drita dhe Partizani kanë fuqi poashtu, do të doja edhe Llapi, por në bazë të asaj që kam parë Llapi duhet të përmirësoj diçka dhe të shoh se ku është problemi në mënyrë që në raundin tjetër të jenë më të përgatitur”, përfundoi Sejdiu.
/GazetaBlic Sport/


