Mbrëmja e djeshme ishte një nga ditët më të mira të futbollit kosovar.
Kampioni në fuqi, Ballkani ka arritur fitore të jashtëzakonshme në udhëtim ndaj Shkupit me rezultat 1-2, shkruan GazetaBlic Sport.
Golat e Rrahmanit dhe Korenicës në minutat 23′ dhe 67’të e bënë Ballkanin që në shtëpi ndeshjen kthyese ta luajnë më të qetë, duke besuar edhe më shumë në fazën e grupeve të garës më të re evropiane “Europa Conference League”.
Trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu për GazetaBlic Sport e ka komentuar ndeshjen e djeshme të Ballkanit nga ana taktike duke thënë se lojtarët kanë treguar një karakter dhe pjekuri të lartë në gjithë rrugëtimin në përgjithësi dhe në veçanti dje ndaj Shkupit, duke pasur parasysh se është hera e parë e skuadrës nga Suhareka që paraqitet në nivelet evropiane.
“Ballkani deri më tash në të gjitha takimet ka treguar kualitet, ajo që më ka befasuar është se edhe pse është hera e parë që bënë pjesë në këto gara ka treguar një nivel tejet të lartë. Mund të themi që në takimin e fundit më është vërtetuar cilësia e lojtarëve të Ballkanit, ku të gjithë e kanë llogaritur Shkupin si favorit, por Ballkani me vlerat e saj ka bërë diferencën në fushë. Çka mund të dallohet te skuadra kosovare është se pavarësisht disavantazhit menjëherë barazohet rezultati, kurse pjesën e dytë e ka dominuar totalisht në të gjitha aspektet“, tha Sejdiu fillimisht për GazetaBlic Sport.
“Nëse Ballkani paraqitet vetëm 50% sikurse në Shkup besoj që kualifikimi në fazat e grupeve është shumë real dhe historia mund të jetë në duart e saj“, shtoi Gani Sejdiu.
I pyetur për përvojën e lojtarëve për të ruajtur avantazhin minimal të arritur në udhëtim ndaj Shkupit, Sejdiu u shpreh se ky rezultat shpesh di të jetë i rrezikshëm, duke shtuar se beson në kualitetin dhe përvojën e lojtarëve të fituar gjatë këtij rrugëtimi.
“Çdo takim është një eksperiencë e re, edhe në këtë takim do të hyjë me një përvojë pak më të madhe duke pas parasysh rrugëtimin, avantazhi minimal është rezultat i rrezikshëm, por skuadra ka treguar pjekuri edhe më parë. Menaxhimi i lojës ishte shumë i mirë dhe mund të shënonin edhe më shumë, rezultati është i favorshëm, por edhe Shkupi ende është në lojë. Ballkani duhet të përdorë pikën e saj më të fortë që janë kundërsulmet dhe gjasat besoj që janë shumë të mëdha“, vazhdoi ai.
“Mendoj që Ballkani nuk ka pikë të dobët, por pjesa defanzive mund të përmirësohet, pasi në pjesën e krosimeve nuk u vendosnin mirë dhe reagimi nuk vinte me kohë. Këtë problem e shfaqi mbrëmë Ballkani dhe këtë duhet ta përmirësojë”, përfundoi Gani Sejdiu.
Kujtojmë që ndeshja e rradhës mes Ballkanit dhe Shkupit luhet në “Fadil Vokrri” javës që vjen.
/GazetaBlic Sport/


