Sporti

“Futbolli kosovar, kurdisjet, FFK, e kombëtarja”, sonte Munishi me rrëfim ndryshe në BlicInterview

04/26/2024 14:35
nga:E K

Trajneri kosovar, Ismet Munishi është i ftuar në emisionin ‘Blic Interview’ prodhim i GazetaBlic që do të transmetohet sot drejtpërdrejt në RTV Dukagjini me fillim nga ora 21:30.

Munishi i cili ka një përvojë të gjatë në futbollin kosovar si trajner duke menaxhuar shumë skuadra të njohura si: Prishtina, Ballkani, Ferizaj, Gjilani e të tjera ka rrëfyer momentet e tij më të mira në eksperiencat e tij si menaxher.

Gjatë intervistës Munishi nuk ka kursyer kritikat ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës për dukuritë negative që ndodhin në ligat elitare si rastet e trukimeve të ndeshjeve e që së fundmi për rast të ngjashëm u dënuan ashpër Ulpiana dhe Vllaznia e Pozhoranit.

Pa kritika nuk e la as Qeverinë e Kosovës për investime minimaliste në sport veçanërisht në futboll duke potencuar se Kosova ka mbetur shumë prapa nga vendet e rajonit.

Ai përmendi rastin e fundit në kualifikimet e Kosovës në Kampionatin Evropian ku stadiumi “Fadil Vokrri” ishte sipas tij në gjendje të mjerueshme.

Këto e shumë të tjera mund t’i ndiqni sot në ‘Blic Interview‘ me fillim nga ora 21:30 në RTV Dukagjini dhe në kanalin zyrtar të GazetaBlic në Youtube.

/GazetaBlic/