Lajme

Fundjava në Greqi mund të jetë më e nxehta në 50 vitet e fundit

07/22/2023 08:00
nga:Y I

Greqia po përgatitet për mot më të nxehtë këtë fundjavë, me meteorologët që po paralajmërojnë se temperaturat mund të shkojnë deri në 45C.

Qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa në vendet turistike – përfshirë Akropolin e lashtë të Athinës – do të mbyllen gjatë periudhës së kohës më të nxehtë në dy ditët e vikendit.

Kjo fundjavë mund të jetë më e nxehta e korrikut në Greqi në 50 vjet, thotë një nga meteorologët kryesorë të vendit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, zjarrfikësit po vazhdojnë të luftojnë dhjetëra zjarre.

Zyrtarët e urgjencës dhe të mbrojtjes civile po paralajmërojnë për një rrezik shumë të lartë të flakëve të reja në të gjithë vendin.

Atika perëndimore – në perëndim të Athinës – është ndër zonat më të goditura, së bashku me Lakoninë në Peloponezin jugor dhe ishullin Rodos.

Partnerët e Greqisë në BE kanë ofruar ndihmë, duke përfshirë avionë zjarrfikës nga Franca dhe Italia dhe më shumë se 200 zjarrfikës nga Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria. Turqia fqinje po dërgon gjithashtu disa avionë për të ndihmuar.

Greqia – si një numër vendesh të tjera evropiane – pa një periudhë të zgjatur të nxehtësisë ekstreme në fillim të këtij muaji.

Vala e fundit e të nxehtit vjen në një nga periudhat më të ngarkuara për industrinë e turizmit në vend.