Lajme

FT: Rusia dhe Ukraina kanë plan për ti dhënë fund luftës?

03/16/2022 17:18
nga:Astrit Gashi

Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë kanë hartuar një plan prej 15 pikave që duhet të sjell përfundimin e agresionit rus në shtetin ukrainas. Është bërë përparim në negociatat, por ukrainasit mbeten skeptikë për qëllimet reale të presidentit rus Vladimir Putin, shkruan gazeta Financial Times.

Të dy vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm drejt zbatimit të një plani paqeje, një armëpushimi dhe tërheqjen e forcave ruse nëse Kievi deklaron neutralitetin dhe pranon kufizime ndaj forcave të tij të armatosura, thanë burimet e përfshira në bisedime.

Marrëveshja e propozuar, e diskutuar në detaje nga negociatorët ukrainas dhe rusë për herë të parë të hënën, nënkupton se Kievi heq dorë nga ambiciet e NATO-s dhe zotohet të mos lejojë armë të huaja dhe baza ushtarake të huaja në tokën e saj në këmbim të mbrojtjes së aleatëve si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Turqia.

Natyra e garancive perëndimore për sigurinë e Ukrainës dhe pranueshmëria e tyre për Moskën mund të rezultojë të jetë një pengesë e madhe për çdo marrëveshje, siç mund të ishte statusi i territoreve ukrainase të pushtuara nga rusët dhe mbështetësit e tyre në vitin 2014.

Marrëveshja e vitit 1994, e cila mbështet sigurinë e Ukrainës, nuk arriti të parandalonte agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, transmeton Telegrafi.
Moska dhe Kievi thanë sot se është bërë përparim në aspektin e marrëveshjes, por zyrtarët ukrainas mbeten skeptikë për angazhimin e presidentit rus për paqen. Ata janë të shqetësuar se Moska po blen kohë vetëm për të rigrupuar forcat dhe për të vazhduar ofensivën.

Negociatori dhe këshilltari ukrainas i presidentit Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolak, i tha Financial Times se çdo marrëveshje do të përfshinte një “largim të forcave ruse nga territori ukrainas” i pushtuar që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, duke përfshirë rajonet jugore dhe territorin në lindje dhe në veri të Kievit.

Ukraina do të mbante forcat e saj të armatosura, por ato do të mbeten jashtë aleancave ushtarake si NATO. Gjithashtu, nuk do të kishte baza ushtarake të huaja apo armë në Ukrainë.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve sot se neutraliteti i Ukrainës mund të bazohet në statusin e Austrisë dhe Suedisë.
“Ai opsion është duke u diskutuar dhe mund të konsiderohet neutral”, tha Peskov.

Pengesa më e madhe për marrëveshjen mbetet kërkesa e Rusisë që Ukraina të njohë aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut. Ukraina deri më tani ka refuzuar ta bëjë këtë, por është e gatshme të diskutojë këtë çështje.