Sporti

FSHF ndan 3 milionë euro për klube, reagon Hodaj: FFK ka Ligjin e Sponsorizimeve, e varet 90% nga fondet e UEFA dhe FIFA!

06/28/2025 15:58
nga:Lorik J

Avokati i njohur kosovar dhe ish sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj ka bërë një krahasim mes të ardhurave të FSHF dhe FFK.

Sot, FSHF njoftoi se 3 milionë euro do t’i shpërndahen klubeve, si shkak i komercializimit, shkruan GazetaBlic Sport.

E pas këtij vendimi të FSHF, ka reaguar edhe Hodaj duke përmendur disa pika kyçe që nuk po shfrytëzohen nga FFK, duke kujtuar gjithashtu edhe Ligjin e Sponsorizimeve, që sipas tij është ndër më të avancuarit në Europë.

Më poshtë keni reagimin nga Taulant Hodaj:

“Menaxhim apo keqmenaxhim? Krahasimi FSHF–FFK flet vetë

Lajm i mirë nga Tirana: Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) do të shpërndajë 3 milionë euro shtesë për klubet e Kategorisë së Parë, si rezultat i të hyrave të krijuara përmes komercializimit. Kjo arritje është veçanërisht domethënëse duke pasur parasysh se FSHF nuk ka Ligj për Sponsorizime, e as ndonjë lehtësi tatimore – ndryshe nga FFK, e cila i ka të dyja.

🇽🇰 Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), me potencial ligjor dhe komercial dukshëm më të madh, vazhdon të mbështetet mbi 90% në fondet standarde nga UEFA dhe FIFA. Të hyrat vetanake nuk arrijnë as 5%. Asnjë federatë tjetër anëtare e UEFA-s nuk funksionon me këtë nivel të varësisë nga fondet standarde të UEFA-së dhe FIFA-së.

Kjo tregon qartë:

❌ Mungesë vizioni dhe profesionalizmi në udhëheqje;
❌ Pashfrytëzim të Ligjit për Sponsorizime – ndër më të avancuarit në Europë;
❌ Dështim në ndërtimin e partneriteteve me sektorin publik dhe privat;
❌ Mungesë të mbështetjes për klubet, infrastrukturën dhe zhvillimin sportiv e profesional.

Kosova ka potencial shumë më të madh se sa po shfrytëzon aktualisht:

1️⃣ Futbolli është sporti më masiv në vend – mbi 80% e të gjithë sporteve;
2️⃣ Kosova është djep i talenteve të futbollit e me plot futbollistë te trajnuar në akademitë sportive evropiane;
3️⃣ Klube me traditë dhe suksese në garat evropiane;
4️⃣ Infrastrukturë ligjore ekzistuese shumë më e avancuar se ajo në Shqipëri.

Kur Shqipëria përmes FSHF-së ndërton stadiume moderne, organizon kompeticione e finale evropiane dhe rrit përkrahjen për klubet – pa mbështetje nga buxheti i shtetit – FFK-ja ngec në vendnumëro, e pa vizion, pa profesionalizëm dhe pa transparencë, duke lënë anash nevojat reale të klubeve dhe lojtarëve.

Kosova dhe Futbolli i Kosovës meritojnë më shumë – jo vetëm për hir të shtetit që kemi kriju me vështirësi, talentëve dhe klubet që i ka, por edhe për mundësitë që po shpërdorohen”, shkruan Hodaj në Facebook.

/GazetaBlic Sport/