Lajme

‘Frikë’ për ikje të madhe të punëtorëve nga Kosova në pranverë: Nuk u vlerësuan nga pronarët e kompanive në vend

03/27/2024 10:37
nga:N K

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur rreth ikjes së puntorëve nga Kosova, sidomos tani pas liberalizimit të vizave.

Ai tregon se ikja e madhe e punëtorëve do të fillojë nga muaji prill, pasi shumë punëtorë kanë shkuar dhe hulumtuar në këtë periudhë, por pjesa dërmuese kanë shkuar për të bërë marrëveshje kontraktuale.

“Ne kemi thënë se ikja e madhe do të fillojë që nga fillimi i muajit prill, pasi që shumë punëtorë në këtë periudhë kanë shkuar dhe hulumtuar tregun e punës atje, normalisht kanë shkuar edhe për vizitë tek të afërmit e tyre, por pjesa dërmuese e tyre kanë shkuar që të bëjnë marrëveshje kontraktuale me ndonjë biznes kryesisht në Gjermani dhe vende të tjera, që do të thotë ikja do të shihet dhe tregu i punës në Kosovë sigurisht do të ketë mungesë të madhe që nga fillimi i muajit prill e tutje”, tha Azemi për Gazeta Blic.

Azemi shtoi se ndërrim të vendeve të punës ka gjithëkund në botë, por në Kosovë kryesisht ka qenë arsye të pagave të ulëta, kushteve trishtuese të punës dhe moskujdesi ndaj fuqisë punëtore.

“Normalisht që ndërrim të vendeve të punës ka gjithëkund në botë, por kryesisht ata shkojnë për paga më të mëdha dhe kushte më të mira, por në Kosovë kryesisht ka qenë paga, sepse dihet që edhe në këto momente keni punëtorë që e marrin pagën prej  250 euro dhe kushtet e punës kanë qenë jashtëzakonisht trishtuese. Nuk është kujdesur askush për fuqinë punëtore që të kenë një mirëqenie më të mirë dhe vetëm kanë menduar pronarët e kompanive që neve duhet me na dhanë vetëm sa dojnë ata dhe ne kemi qenë të obliguar të punojmë”, vazhdoi tutje me deklaratën e tij.

Azemi tutje thotë se ata kanë bërë thirrje për ngritje të pagës minimale, dhe ajo të jetë garantuese që pronarët e kompanive të trajtojnë punëtorët në gjendje më të mirë, dhe se të gjithë jemi fajtorë për gjendjen që kemi sot.

“Ne kemi thirrë që të bëjnë ngritjen e pagës minimale dhe ajo të jetë garantuese që pronarët e kompanive t’i trajtojnë këta punëtorë në gjendje ma të mirë, këtë nuk e kemi pa dhe realishtë që të gjithë jemi fajtorë për gjendjen çfare e kemi, por në veçanti tani me faturë kanë për të paguar vet pronarët e kompanive”, u shpreh Azemi.

Në ndërkohë Azemi përmendi se momentalisht nuk ka ndonjë të dhënë të saktë, por pritet deri në fund të këtij muaji në bazë të statistikave të ketë të dhëna se sa punëtorë kanë lëshuar vendin e tyre të punës.

Në lidhje më këtë çështje ka folur gjithashtu edhe Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i cili thotë se nuk ka numër të saktë të punëtorëve që kanë ikur, por përafërsisht brenda këtyre dy muajve në Kosovë kanë lënë punën rreth njëmijë punëtorë.

“Se sa punëtorë kanë ikur nuk ka numër të saktë, por supozohet se brenda këtyre dy muajve në tërë Kosovën është një numër përafërsisht rreth një mijë punëtorë të cilët e kanë lënë punën disa përkohësisht dhe disa e kanë lënë punën përgjithmonë dhe kanë shkuar për të gjetur ndonjë mundësi në një shtet të Bahkimit Evropian për të punuar”, tha Shahini për Gazeta Blic.

Tutje shtoi se do të ketë vazhdimësi kërkesash për të dalë jashtë vendit, por sipas një studimi nga njëmijë punëtorë përafërsisht sa kanë dalur brenda këtyre dy muajve, mbi 40% e tyre janë kthyer.

“Do të ketë vazhdimësi kërkesash për të dalë por sipas një studimi tonë brenda këtyre dy muajve që kanë shkuar prej atyre njëmijë punëtorëve përafërsishtë që e kanë lënë këtu vendin e punës pothuajse mbi 40% janë kthyer sepse nuk kanë mundur ta gjejnë veten në një vend të punës në Bashkimin Evropian për shkaqe se nuk kanë gjetur mundësi të legalizimit të vendit të punës, kanë qenë punë të rënda, pagesat nuk kanë qenë ashtu siç janë të pritshme dhe janë kthyer në vendin e punës”, u shpreh ai.

Ndër të tjerash mesazhi i tij ishte drejtuar Qeverisë së Kosovës që të krijojnë mundësi më të mëdha për zhvillim dhe investim, të mbështet sektorin privat, të rriten kushtet e punës dhe pagat, e njëkohësishtë edhe punëtorët të konsiderojnë vendin e punës më shumë.