Lajme

Frika për ikje të mësimdhënësve nga Kosova, flet kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj

06/19/2024 21:46
nga:N K

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka përmendur rëndësinë e orës së kujdestarisë në shkollat e vendin tonë dhe pagesën që duhet të marrin personeli arsimor siç janë mësuesit për pagesë të kësaj ore kujdestarie mbinormë 20 orëshe.

“SBASHK gjithmonë ka insistuar që të kemi orën e kujdestarisë, por ora e kujdestarisë duhet të jetë e vendosur në orar që Drejtoria, Mësimdhënësit dhe nxënësit ta dinë kur është ora e kujdestarisë. Ne tani nuk kemi komunikim faktikisht me Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (Mashti), por na është thënë se MASHTI kishte përgaditur një udhëzim ku do të jetë e përfshirë edhe ora e kujdestarisë”, thotë ai.

Jasharaj ka treguar rëndësinë e orës së kujdestarisë për fëmijët në shkolla dhe sipas tij është e nevojshme të jetë nga klasa e parë për shkak të edukimit të brezave të rinj.

“Ora e kujdestarisë është shumë e veçantë dhe e rëndësishme, jo vetëm një orë kujdestarie, pse mos të jenë dy orë kujdestarie ngase jetojmë në shekullin e 21-të dhe nxënësit përballen me dukuri të ndryshme të cilat do të debatoheshin në orët e kujdestarisë. Unë besoj se orë kujdestarie duhet të ketë nga klasa e parë, sepse ata fëmijë besojnë dhe dëgjojnë shumë mësuesin dhe fjala e arsimtarit tingëllon shumë bukur por tingëllon më bukur kur është ora e kujdestarisë dhe shteti jonë nuk duhet të shikojë gjithmonë pjesën buxhetore”, deklaroi Jasharaj.

Testi i Arritshmërisë në Kosovë/ Ahmeti: Është e lehtë të parandalohet kopjimi i nxënësëve nga komisionerët

A kanë të drejtë mësimdhënësit të kërkojnë pagesë mbinormë?

“Ata kanë të drejtë të kërkojnë pagesë ngase në kontratë thuhet se ora e kujdestarisë duhet paguar si çdo orë e rregullt mbinormë (20 orëshë). Ne kemi insistuar për këtë orë kujdestarie edhe për një çështje tjetër meqenëse po bie numri i nxënësve dhe paraleleve po ta kemi këtë orë kujdestarie të paraparë në orar, ateherë kjo orë do t’ju vlente mësimdhënësve edhe për ta plotësuar normën e tij. Kjo orë kujdestarie duhet të jetë orë e edukatës, bisedës së lirë me nxënësit ngase institucionet arsimore nuk quhen kot Institucione Edukative Arsimore. Nëse një arsimtar nuk merret me një zënkë aty për aty ajo mund të rritet në pushimin e gjatë dhe fëmijët mund të përplasen dhe grushtohen, është një orë shumë e rëndësishme duhet të paguhet nësë është mbinormë”, tha Jasharaj.

“Testi PISA në kundërshtim me atë se çka mësojnë nxënësit në Kosovë”

Ahmeti: DKA-të të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që ndërlidhen me ngacmimet në shkolla

Jasharaj tregon se a pritet të ketë ikje të personelit arsimor në Kosovë, nëse nuk do të ketë pagesë së orëve të kujdestarisë nënormë për ta?

“Unë kam frikën që do të ketë ikje të mësimdhënësëve sepse personeli arsimor kanë pritur shumë më shumë nga ligji i pagave. Qeveria Kurti e bëri një lëvizje ironike nga 105 në 110 që në arsimin parauniversitar e solli një ngritje 28 euro që është ironike, nëse vazhdon kështu me qasjen të punëtorëve të arsimit dhe nuk kemi një lëvizje më të dukshme të pagave dhe buxhet tjetër për t’i kthyer shkollat në shekullin e 21-të”, përfundoi kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj. /GazetaBlic/