Ambasada e Francës dhe ajo e Gjermanisë në Kosovë, përmes një komunikate për media kanë njoftuar se kanë organizuar një diskutim me rastin e 61 vjetorit të Traktatit të Elysee dhe 5 vjetorit të Traktatit të Aachen, në Qendrën Rinore në Mitrovicë, që u mbështet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).
Gjatë takimit ku u fol për pajtimin franko-gjerman, ambasadorët e dy shteteve Rohde dhe Guérot, nënvizuan duke ndarë përvojat personale sesi pajtimi u bë pjesë e biografive të tyre, megjithëse të një natyre dhe shtrirjeje të ndryshme.
Në komunikatë thuhet pavarësisht se është shumë sfiduese të gjesh gjuhën e përbashkët mes komuniteteve të ndryshme në Kosovën e pasluftës, pjesëmarrësit e takimit arritën në përfundim se proceset e pajtimit duhet të shkëputen nga ndikimi i narrativave nacionaliste.
Gjermania dhe Franca janë shprehur se do të vazhdojnë në mënyrë aktive të mbështesin përpjekjet e vërteta për pajtim.


