FMN nxjerr Deklaratën Përmbyllëse të Misionit të Nenit IV për vitin 2022
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) konstaton se ndikimet e drejtpërdrejta të Shqipërisë nga lufta e Rusisë në Ukrainë janë të kufizuara. Megjithatë, defiçitet buxhetore, borxhi i jashtëm dhe borxhi i lartë publik bëjnë që Shqipëria tani të përballet me sfidat si pasojë e rritjes ndërkombëtare të çmimeve të ushqimit dhe energjisë, kushte financiare globale më të shtrënguara që ka gjasë të vazhdojnë, si dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike në Evropë.
FMN thotë se nevojiten politika të kujdesshme dhe vigjilencë për të minimizuar risqet në rritje dhe për të ruajtur ritmin pozitiv në ekonomi.
Në raportin e publikuar sot, FMN ndalet në disa problematika që ka vëzhguar dhe është ndjeshëm kritike ndaj qeverisë për shumë aspekte.
Konsolidimi fiskal, mbështetur në një Strategji të shëndoshë Afatmesme për të Ardhurat, është jetik për të rikrijuar hapësirë për manovrimin për politikën fiskale dhe për të ulur trysninë e kërkesës. Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme dhe e shënjestruar tek shtresat në nevojë.
FMN çmon edhe se rritja e efiçencës dhe e besueshmërisë tek financat publike mbetet jetike për të ruajtur besimin e tregut dhe për të zbutur kostot e më të larta të huamarrjes.
Edhe pse Shqipëria po përballet me sfida urgjente afatshkurtra, autoritetet duhet të shtojnë përpjekjet e tyre ndaj reformave strukturore që ngrenë potencialin e Shqipërisë për një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe po bëhet me bazë gjithnjë e më të gjerë. Norma e inflacionit pritet të arrijë kulmin në muajt në vijim, duke filluar uljen vetëm në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin prej 3 për qind e Bankës së Shqipërisë (BSH) nga mesi i 2024, kur çmimet ndërkombëtare të mallrave të bursës të stabilizohen, politika fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja ekonomike të ngadalësohet.
Perspektiva ekonomike është subjekt i një pasigurie domethënëse dhe risqet janë të prirura në kahun e poshtëm. Çmimet e ushqimeve dhe energjisë në tregun ndërkombëtar mund të rriten më tej. Një inflacion më i lartë dhe më i qëndrueshëm do të rëndonte më shumë tek të ardhurat reale dhe do të dobësonte perspektivën e rritjes ekonomike.
Sakaq, shtrëngimi drastik i kushteve globale të financimit mund të pengojë aksesin e Shqipërisë në financime.
Ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe ndryshimit të kahut të rritjes në çmimet e pasurive të paluajtshme.
Në politikat fiskale, FMN bën thirrje që qeveria të zvogëlojë presionin e kërkesës, duke ofruar mbështetje të shënjestruar e të përkohshme për të mbrojtur kategoritë në nevojë nga ndikimi i rritjes së kostos së jetesës.
Konsolidimi fiskal duhet mbështetur nga një Strategji e shëndetshme Afatmesme të Ardhurash (SAA) për të rritur të ardhurat tatimore që janë ndër më të ulëtat në rajon si përqindje e PBB-së.
Duke marrë parasysh gjasat për një inflaction të lartë në vitin 2023, grumbullimi i më shumë të ardhurave tatimore do të krijonte hapësirë për ndihmë të mëtejshme të shënjestruar e të përkohshme për shtresat në nevojë, pa rritur defiçitin buxhetor.
Për periudhën më afatgjatë, të ardhurat më të larta janë të nevojshme edhe për të mbështetur nevojat për zhvillim të Shqipërisë.
FMN shprehet me refuzim të prerë për amnistinë fiskale: “Ne ritheksojmë shqetësimet tona për ligjin e propozuar të amnistisë fiskale, duke pasur parasysh rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes, si dhe ndikimin negativ në përmbushjen tatimore”.
Të gjitha projektet publike duhet t’i nënshtrohen kuadrit ligjor për investimet dhe prokurimin publik. Autoriteteve u kërkohet të publikojnë kontratat e prokurimit publik që lidhen me shpenzimet për pandeminë dhe rimëkëmbjen nga tërmeti, emrat e kompanive fituese dhe pronarët përfitues. Ne e ritheksojmë nevojën për minimizimin e përdorimit të akteve normative për të ndryshuar buxhetin, thotë FMN.
Luhatja në tregun global të energjisë nënvizon urgjencën e reformave vendimtare për ta sjellë sektorin e energjisë elektrike në qëndrueshëri financiare dhe për të ulur rreziqet fiskale.
Subvencionet me bazë të gjerë duhet të hiqen, sepse u sjellin përfitime në mënyrë të shpërpjestuar atyre që kanë më shumë mundësi dhe i pengojnë sinjalet e çmimeve.
Përshtatja graduale e tarifave në nivele që mbulojnë koston është kritike dhe duhet shoqëruar me masa mbështetje për shtresat në nevojë. Është gjithashtu thelbësore që të rritet transparenca e sektorit të energjisë elektrike dhe e drejtimit të ndërmarrjeve shtetërore.


