Skuadrat shqiptare do të nisin së shpejti rrugëtimin kualifikues në garat europiane.
Skuadra nga Maqedonia e Veriut, Shkëndija do të kërkojë kualifikimin në Europa Conference League, aty ku përballë në rrethin e parë do të ketë punë me skuadrën, Haverfordwest Country.
Lojtari i Shkëndijës, Florent Ramadani ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ në lidhje me këtë takim ku tha se i gjithë ekipi do të fokusohen në ndeshjen e xhiros së parë.
“Dihet se Shkëndija ka synim të ec sa më larg në Evropë dhe në këtë drejtim ne punojmë me bindje se rivali i parë duhet kaluar“, tha fillimisht Ramadani.
I pyetur nëse Shkëndija mund të kualifikohet në grupet e kësaj gare ai tha se ndeshjet do t’i marrin me radhë duke shpresuar për më të mirën.
“Ti marrim gjërat me radhë dhe të mendojmë për çdo ndeshje veçmas. Sigurisht se duam të ecim sa më larg dhe pse jo të prekim edhe grupet, por me kujdes dhe pa nënçmuar asnjë kundërshtar. Shorti na dha dy kundërshtarë që besojmë jemi të denjë t’i rivalizojmë. Tash ne duhet ta bëjmë punën në terren dhe nëse do jemi në raundin e tretë atëherë do të fillojmë të bëjmë llogari të reja. Për momentin mendojmë vetëm për Haverfordwest County”, shtoi Ramadani për ‘GazetaBlic Sport’.
Ramadani komentoi edhe përforcimet e reja të skuadrës së Shkëndijës, duke thënë se çdo lojtarë është i rëndësishëm.
“Çdo lojtar është i rëndësishëm për skuadrën ashtu edhe përforcimet. Ne mundohemi t’ua bëjmë sa më të lehtë përshtatjen dhe atyre tu mbetet vetëm të japin më të mirën. Bashkë kemi një qëllim dhe në rend të parë janë rezultatet e skuadrës”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


