Sporti

Flet heroi i Llapit, Elvis Prençi: Jam tepër i lumtur, tifozëve do t’ua kthejmë emocionet dhe në arenën ndërkombëtare

05/13/2021 14:59
nga:L J

Skuadra e Llapit ka fituar mbrëmë Kupën e Kosovës, pasi ka mposhtur në penallti ekipin e Dukagjinit.

Koha e rregulltë përfundoi me rezultatin 0-0, kurse edhe në vazhdime rezultati ishte i barabartë, por me gola. Merlaku shënoi fillimisht për Dukagjinin, kurse Elvis Prençi më pas për Llapin, për të barazuar gjithçka në sekondat e fundit të shtesës së dytë, shkruan GazetaBlic Sport.

Mbrojtësi 27 vjeçar thotë se është tepër i lumtur që shënoi, ndërsa thotë se ishte ndjesi e papërshkrueshme.

“Normalisht që jam më se i lumtur që shënova, aq më tepër në minutën e fundit. Ndjesi e papërshkrueshme”, tha fillimisht Prençi për ‘GazetaBlic Sport’.

“Për mua në aspektin personal është arritja më e madhe dhe jam shumë i lumtur që këtë gjë e arrita me Llapin”, vazhdoi Prençi.

Futbollisti i Llapit tha se tifozët e klubit i kanë emocionuar futbollistët dje, pasi deri në orët e mëngjesit kishin festuar në qytet. Ai premton se klubi i tij do t’ua kthejnë këto emocione edhe në arenën ndërkombëtare.

“Tifozët na kanë emocionuar shumë dje pas ndeshjes deri në orët e para të mëngjesit dhe shpresojmë që këto emocione t’ua kthejmë dhe në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Preçi.

Vlen të potencohet që pas triumfit në Kupën e Kosovës në futboll, Llapi ka siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e UEFA Conference League.

/GazetaBlic Sport