Lajme

Flasin analistët: A duhet të anulohen zgjedhjet në veri pas incidenteve?!

04/12/2023 19:11
nga:G B

Zgjedhjet në katër komunat veriore do të mbahen me 23 prill.

Por, ajo pjesë së fundi është përcjellë me disa incidente.

Pas djegies së veturave e sulmeve ndaj policisë së Kosovës, me 10 prill në rrugën Leposaviq-Zveçan u plagos një serb, nga një polic i Kosovës.

Për rastin u arrestuan e suspenduan katër policë.

Për këtë rast, sot serbët në veri kanë mbajtur protestë, duke kërkuar largimin e tërësishëm të Policisë së Kosovës nga veriu.

Se a duhet të mbahen në zgjedhjet në katër komunat veriore, duke qenë një situatë e tillë me incidente dhe sa mund të shkojë mirë procesi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, për Gazeta Blic kanë folur analistët.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë për Gazeta Blic se do të ketë telashe në ditën e zgjedhjeve.

“Sa do të jetë siguria duhet ta dinë organet e sigurisë. Por që do të ketë telashe, kjo është më së evidente”, thotë ai.

Sipas tij, për shkak të situatës është më mirë që zgjedhjet të mos mbahen dhe të shtyhen për një datë tjetër.

“Mendoj që është mirë të anulohen zgjedhjet. Dhe të shtyhen për një datë tjetër. Mirë do të ishte që të shtyhen për një datë tjetër”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.

Spahiu është i mendimit se zgjedhjet duhet të mbahen nëpër qendra të votimit, nëpër shkolla siç janë mbajtur zakonisht, dhe jo në të tjera ambiente.

Kurse, profesori Arben Fetoshi, në një prononcim për Gazeta Blic thotë se derisa nuk është adresuar kjo çështje në Ohër, ka situatë të tillë dhe se serbët po përdoren nga Vuçiq.

“Fakti që nuk është adresuar kjo çështje në Ohër apo Bruksel me ata që i kanë shkaktuar këto zgjedhje, pra me autoritetet e Serbisë, Vuçiq do t’i përdorë qytetarët serbë për presion ndaj Kosovës dhe duke pasur parasysh qëllimet e saj territoriale, bojkotimi do të ishte pasoja më e lehtë”, thotë ai.

Fetoshi vlerëson se për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve duhet të vendosin Policia dhe AKI-ja, teksa shton se Serbia ka qëllim të provokojë tensione për ndarje territoriale të veriut.

“Prandaj, nëse mund të mbahen apo duhet të shtyhen është mirë të vendoset pas marrjes së vlerësimit nga institucionet e sigurisë si Policia dhe AKI-ja. Mendoj se është tepër e rëndësishme që të mos tregohemi të ngurtë si në rastin e vendimit për targat vitin e kaluar. Serbisë i intereson të provokojë tensione për ta çimentuar edhe më shumë ndarjen territoriale të veriut”, thekson profesori.

Ai përmend mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, që thotë se Vuçiq në këtë mënyrë tenton ta kushtëzojë dinamikën e marrëveshjes së Ohrit me asociacionin si hap i parë i Prishtinës.

“Nëse vlerësimet për mosdaljen e serbëve lokalë janë të besueshme, atëherë mbajtja e zgjedhjeve, edhe nën supozimin se gjithçka shkon mirë, nuk do të prodhonte rezultate për shkak të kontestimit të legjitimitetit qytetarë. Mospjesëmarrja e Listës Serbe tregoi qartë se Vuçiq tenton ta kushtëzojë dinamikën e marrëveshjes së Ohrit me asociacionin si hap i parë i Prishtinës. Por, kjo s’do të thotë që Kosova duhet të përgjigjet me inat, duke rrezikuar tensione që do të kishin pasoja më të mëdha politike”, deklaron Arben Fetoshi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se në veri nuk garohet për pushtet vetëm me shqiptarë, por me të gjithë dhe se nuk mund të ketë zgjedhje demokratike, pa pajtim të kosovarëve.

“Në veri të Kosovës nuk garohet për pushtet vetëm me shqiptarët por me të gjithë. Së këndejmi, pa pajtimin e qytetarëve kosovarë që janë shumicë atje nuk mund të këtë zgjedhje demokratike”, vlerëson ai.

Matoshi kujton rastin e Hanit të Elezet e Kaçanikut dhe qeverisjen atje para 24 vitesh.

“Mos harroni kurrë se vetëm 24 vjet përpara me Hanin e Elezit e Kaçanikun për shembull kanë “qeverisë” do serbë, por ishte kohë fashizmi”, deklaron analisti Halil Matoshi./Gazeta Blic/