Sporti

Stavileci: Sigal Prishtina ka diçka më shumë se skuadrat e tjera, jemi me këmbë në tokë drejt qëllimit final

04/13/2023 17:45
nga:Mergim Rreci

Sigal Prishtina dhe Trepça përballen sot në ndeshjen e parë të ‘Play-off’-it në kryeqytet.

Dy rivalët e përbetuar në basketbollin kosovar pritet të dhurojnë spektakël dhe emocione në ndeshjen e sontme.

Prishtina për herë të fundit e ka fituar titullin në vitin 2019 dhe është skuadra që dominon në mënyrë absolute me titujt e fituar në Kosovë, ndërsa Trepça në vitin 2012, pikërisht në ndeshjet finale ndaj Prishtinës.

Kryeqytetasit e përfunduan pjesën e sezonit të rregullt në pozitën e parë me 22 fitore dhe 6 humbje, madje duke siguruar 4 fitore nga 5 ndeshjet e fundit ndaj “Minatorëve”.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, presidenti i skuadrës së Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci tha se një pjesë e qëllimit vetëm u realizua me rikthimin e skuadrës në krye të tabelës, pikërisht në kohën kur kishte probleme të mëdha dhe pothuajse askush nuk llogariste më se ky ekip mund të jetë një pretendent i madh për titullin.

“Ne kemi bërë një rikthim të madh gjatë këtij sezoni. Atëherë kur Prishtinën të gjithë e çregjistruan nga lista, ne e rimorëm veten në një kohë rekord, u riorganizuam në mënyrën më të mirë, dhe pavarësisht se skuadrat e tjera ishin shumë më përpara, llogariteshin favorite e pretendente, ne dolëm të parët. Me këtë vetëm një pjesë e qëllimit u realizua“, tha fillimisht Stavileci.

Më pas, Stavileci tha se skuadra e ka ruajtur energjinë për fazën më të rëndësishme të sezonit dhe se Prishtina ka diçka më shumë se kundërshtarët e saj, si nga historia dhe përvoja, ashtu edhe nga grupi i lojtarëve që ka në dispozicion.

“Tani nis faza finale dhe ne kemi ruajtur energjinë më të madhe për këtë periudhë. Të gjitha skuadrat janë të mira dhe për nga kualiteti të nivelizuara, por Prishtina ka diçka më shumë, si nga historia dhe përvoja, ashtu edhe nga grupi i lojtarëve dhe kualiteti i lojës. Pavarësisht kësaj, ne jemi me këmbë në tokë, duke respektuar të gjithë kundërshtarët. Të gjithë do të zbulojnë potencialin dhe forcën e tyre që kanë. E jona është t’i përveshëmi punës me seriozitet maksimal dhe modesti kampionësh. Nëse kësaj ia dalim mbanë, nuk shohim probleme, nëse dështojmë këtu, atëherë është e vështirë të realizohet qëllimi final”, përfundoi Stavileci.

Kujtojmë që Prishtina ka arritur suksese historike nën drejtimin e Stavilecit, si në garat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

Ky takim fillon në ora 20:30

/GazetaBlic Sport/