Sporti

Pietro Balzano Prota: Gjithçka varet nga Milani në garën për titullin kampion, klubi po shijon përsëri sukseset madhore

05/13/2022 19:46
nga:Mergim Rreci

Kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit në Serie A, me garën për titullin që vazhdon të jetë jashtëzakonisht e “zjarrtë”.

Milani dhe Interi po luftojnë për epitetin e kampionit, me dy skuadrat rivale që kanë vetëm dy pikë dallim në renditje, shkruan GazetaBlic Sport.

“Rossonerët” janë në vendin e parë me 80 pikë, kurse “Neruazzurët” kanë 78, në vendin e dytë. Në dy xhirot e ardhshme Milani takohet me Atalantan dhe Sassuolon, kurse Interi përballet me Cagliarin dhe Sampdorian.

Në lidhje me garën e madhe që po zhvillohet atje, eksperti dhe gazetari shumë i afërt me skuadrën e Milanit, Pietro Balzano Prota është prononcuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai tha se ka tension dhe shumë emocione tek tifozët e skuadrës së Piolit, por që gjithçka varet tashmë nga “Rossonerët”, me trajnerin italian që e di më së miri këtë gjë.

Ka tension, ka shumë pritje, por ka edhe përqendrim dhe e dimë të gjithë, duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të hedhim hapat e fundit. Gjithçka varet nga Milani, skuadra e ka fatin në dorë.. dhe jam i sigurt që Pioli e di mirë dhe skuadra tashmë me Veronën ka treguar se është e uritur“, tha fillimisht ai.

Më pas ai foli edhe për ndryshimin e madh që ka bërë Milani në vitet e fundit, ndryshim ky jo vetëm në fushë, por edhe në të gjitha aspektet e tjera.

Ndryshimi tashmë është perceptuar që nga viti i kaluar, jo tani. Lufta për titullin nuk është ndryshimi i vërtetë, por është gjithçka që po ndodh si në fushë, me qëllime gjithnjë e më të larta, me skuadrën që arriti në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, suksese kishte edhe jashtë fushës: me një ndryshim si në komunikim, në përmbajtje dixhitale, në sponsorë … të mos harrojmë se sa sponsorë të rinj kanë hyrë në botën e Milanit. Është një ndryshim 360 shkallë dhe rezultatet shihen mbi të gjitha në fushë… dhe puna e Maldinit, Massara, Moncada, Gazidis… ka qenë e jashtëzakonshme“, përfundoi ai për ‘GazetaBlic Sport’.