Qumështorja VITA ka reaguar pas publikimit të rezultateve të analizave nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), lidhur me nivelin e aflatoksinës M1 në qumështin UHT 3.2%, duke pretenduar se analizat e kryera në një laborator në Bullgari kanë treguar vlera brenda kufijve të lejuar.
Sipas njoftimit të kompanisë, analizat e realizuara në laboratorin Alimenti Omnilab në Bullgari, përmes metodës HPLC, kanë rezultuar me 0.008 µg/kg aflatoksinë M1, dukshëm nën kufirin maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg.
VITA sqaron se rezultatet i referohen produktit Qumësht Vita 3.2% UHT, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe datë skadimi 18.01.2027.
Nga ana tjetër, kompania kundërshton rezultatin prej 0.065 µg/kg të publikuar nga AUV, duke thënë se nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar apo raport laboratorik nga institucioni, por është informuar vetëm përmes një publikimi në Facebook.
Për këtë arsye, VITA kërkon nga personat përgjegjës në AUV të sqarojnë metodologjinë e përdorur në analizat e Institutit AGES, mënyrën e interpretimit të rezultateve dhe të ofrojnë transparencë të plotë për opinionin publik.
Në fund, kompania ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë ushqimore dhe se do të vazhdojë të kërkojë verifikimin e plotë të rezultateve të kontestuara.
“VITA nuk kërkon privilegje. Kërkon transparencë, drejtësi dhe të vërtetën!”, thuhet në reagimin e kompanisë.


