Vedat Muriqi është rikthyer në fushë pas një periudhe të vështirë për shkak të dëmtimit, duke luajtur nga minuta e parë në përballjen e Fenerbahçes ndaj Lyonit në play-off-in e Champions League.
Pas barazimit 1-1, sulmuesi kosovar foli për dëmtimin dhe rikthimin e tij në fushë, duke falënderuar të gjithë ata që e ndihmuan gjatë procesit të rikuperimit.
“E nisa në mënyrën më të keqe të mundshme. Pësova një çarje në pjesën e poshtme të kofshës. Gjatë procesit të rikuperimit, të gjithë u bashkuan dhe dua t’i falënderoj të gjithë për këtë. Falë njerëzve që u angazhuan dhe punuan për rikthimin tim, arrita të luaj sot”, deklaroi Muriqi.
Sulmuesi i Fenerbahçes theksoi se objektivi i tij kryesor nuk është domosdoshmërisht shënimi i golave, por kontributi ndaj skuadrës.
“Edhe pse këtu jam sulmues, qëllimi im nuk është të shënoj, por të jem i dobishëm për ekipin. Nëse mund të jem i dobishëm, do të jem i lumtur. Nëse vjen edhe goli, atëherë do të jem dyfish i lumtur”, u shpreh Muriqi.
Fenerbahçe do ta kërkojë kualifikimin në ndeshjen e kthimit, ndërsa rikthimi i Muriqit në formacion i jep skuadrës turke një tjetër alternativë të rëndësishme në repartin ofensiv.
/GazetaBlic Sport/


