Sporti

Elton Basriu flet para finales: Jemi gati të luftojmë për ta shkruar historinë e Dukagjinit

05/19/2026 16:31
nga:Mergim Rreci

Finalja e madhe e Kupës së Kosovës po afron dhe emocionet tashmë kanë filluar të rriten.

Më 21 maj, duke filluar nga ora 20:00, në stadiumin stadiumin ‘Fadil Vokrri’, do të zhvillohet përballja vendimtare mes Ferizajt dhe Dukagjinit, e  cilat pritet me interes të jashtëzakonshëm.

Para kësaj sfide shumë të rëndësishme, ka folur kapiteni i Dukagjini, Elton Basriu, i cili është shprehur optimist për gjendjen e skuadrës dhe gatishmërinë që ekipi ka treguar në prag të finales.

Sipas tij, skuadra ka kaluar një sezon me shumë punë dhe sakrificë, ndërsa tani ndodhet vetëm një hap larg realizimit të objektivit madhor. Kapiteni theksoi se grupi është maksimalisht i motivuar dhe i vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo ndeshje për klubin dhe tifozët.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe motivimi është në nivel. Kemi punuar gjatë gjithë sezonit për të arritur deri këtu dhe besoj se jemi të përgatitur si fizikisht ashtu edhe mentalisht. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe përgjegjësinë që kemi ndaj klubit dhe tifozëve”, deklaroi Basriu për “GazetaBlic Sport”.

Ai shtoi se finalet nuk fitohen vetëm me cilësi në fushë, por edhe me karakter, disiplinë dhe shpirt gare, elemente që sipas tij nuk i mungojnë këtij grupi të lojtarëve.

“Finalet fitohen me zemër, disiplinë dhe besim te njëri-tjetri, dhe unë besoj se ky grup i ka të gjitha këto. Jemi gati të japim maksimumin në fushë dhe shpresojmë që në fund ta shkruajmë historinë së bashku”, përfundoi kapiteni i Dukagjinit.

Skuadra e drejtuar nga Arsim Thaqi synon të kurorëzojë sezonin me trofe, ndërsa përballja e 21 majit konsiderohet si një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit. Në anën tjetër, interesimi i tifozëve për këtë finale vazhdon të jetë shumë i madh dhe pritet që stadiumi “Fadil Vokrri” të jetë i mbushur me mijëra shikues që do të krijojnë atmosferë të zjarrtë.

/GazetaBlic Sport/