Sporti

Nga tenisi deri tek përfaqësimi i Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian| Blearta Ukehaxhaj, shembulli më i mirë i një figure sportive në vend

06/22/2023 16:26
nga:Mergim Rreci

Blearta Ukehaxhaj është shembulli i një figure të mrekullueshme sportive në Kosovë, ndonëse ende është në moshë të re.

E rritur në një familje ku tenisi ka qenë kryefjalë e çdo diskutimi, tani bëhen 14 vite të karrierës së saj si teniste, shkruan GazetaBlic Sport.

Qysh në fillim sukseset kanë qenë pjesë e pandashme të saj, madje disa herë me radhë ka qenë tenistja më e mirë për grupmoshën e saj dhe në kategori me moshë më të madhe, atje ku disa herë është shpallur edhe si tenistja më e mirë në të gjitha kategoritë.

Përveç kësaj, ajo ka kontribuar në shumë aktivitete vullnetare për komunitetin sportiv në Kosovë, në veçanti për projektet që lidhen me sportin e tenisit, duke qenë edhe një shembull për gjeneratat e ardhshme.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Ukehaxhaj ka treguar për karrierën e saj, rezultaetet si dhe për përfaqësimin që i ka bërë Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e bërë këtë gjë në vende të ndryshme, me krenari të madhe.

“Qysh nga viti 2015 kur edhe federata jonë është pranu në federatat ndërkombëtare, jam gjenerata e parë që kemi përfaqësuar Kosoven jashtë vendit në evente të shumta ndërkombëtare të nivelit Tennis Europe e ITF“.

“Në vitin 2018 në Tunizi dhe në vitin 2019 në Finlandë kam qenë pjesë e ekipit të Kosovës në kampionatin botëror të tenisit, Billie Jean King Cup, në mesin e shumë rezultateve pozitive, në vitin 2019 kemi arritur të renditemi në poziten e 4 nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse, pas fitoreve të shënuara kundër Maqedonisë së Veriut, Algjerisë e Kongos, në vitin 2017 kam përfaqësuar Kosovën në Festivalin olimpik për të rinj “EYOF Gyor 2017” në Hungari, kam pas nderin edhe të bart flamurin e Kosovës në ceremonin hapëse të festivalit olimpik, detyrë e besuar nga ekipi olimpik i Kosovës“.

Në vitin 2018 kam përfaqësuar Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, në Spanjë, duke mos lënë anash edhe shumë gara të tjera në shtete të ndryshme të botës“, tha fillimisht ajo.

Tutje, ajo tregoi për licencimin që e fitoi si trajnere e tenisit nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit, poashtu në të njëjtën kohë ajo u licencua edhe si refere e tenisit.

Ukehaxhaj e fitoi gjithashtu epitetin e gjyqtares më të mirë të vitit 2022 nga Federata e Tenisit të Kosovës, duke qenë maksimalisht e suksesshme në të gjitha ndeshjet ku ajo ndau drejtësinë.

Në vitin 2019 jam licencuar si trajnere e tenisit nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit, në po të njejtin vit jam licencuar edhe si refere e tenisit. Momentalisht jam referja e vetme femër e licencuar në Kosovë, përveç angazhimit në Kosovë kam pasur edhe përvoja ndërkombetare si refere e vijës në kampionatin boteror per vajza, Billie Jean King Cup si dhe si ndihmës-refere në turne ndërkombëtar për junior të nivelit evropian e botëror, në të ardhmen e afërt synojë që të pajisem me licencë ndërkombëtare që të jem pjesë e eventeve të rëndësishme të tenisit në botë“, tha tutje Ukehaxhaj.

Krejt në fund, ajo konfirmoi se do të jetë ambasadore olimpike e Kosovës Festivalin Olimpik Evropian për të Rinjë ‘Maribor 2023’, që mbahet në Slloveni 23-29 Korrik.

“Vitin e kaluar jam përzgjedhur si ambasadore e re olimpike për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinjë ‘Banska Bistrica 2022’ në Sllovaki, në kuadër të programit ‘European Young Olympic Ambassadors’, përmes të cilit promovohen vlerat olimpike te sportistët e rinjë që marrin pjesë në Festival Olimpik. Eksperiencë ndryshe dhe shumë e veçantë për ta ndarë bashkë me ambasdorët e tjerë nga e gjithë bota. Ndërsa për herë të dytë jam përzgjedhur si ambasadore olimpike në të njejtin program, kësaj radhe për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinjë ‘Maribor 2023’, që mbahet në Slloveni 23-29 Korrik 2023”, përfundoi ajo.

/GazetaBlic Sport/